Easy Mediterranean Chickpea Soup-Supë Me Qiqra Dhe Perime

Supë Mesdhetare me Qiqra dhe Perime është një pjatë e ngrohtë shumë e shijshme për këto ditë të ftohta dimri.
Qiqra është një nga legumet që përmban vlera të larta të proteinave dhe fibrave duke u kthyer kështu një nga përbërësit që nuk duhet të mungojë në tryezat dhe recetat tona familjare.
Me pak fjalë, qiqra mund të konsumohet nga të gjithë në familje dhe është një nga aleatet tona për të pasur një shëndet të mirë.

Kështu duke konsumuar qiqra ne plotësojmë mbi 20% te nevojave tona ditore në proteina, fibra, folate dhe kripëra minerale. Mbetet gjithashtu një burim shumë i mirë i vitaminës B6, hekurit, magnezit, zink, etj.

Qiqrat mund ti përdorim në shumë receta, duke i kombinuar me pasta, sallata  të ndryshme, miellra  të ndryshëm për ti dhënë shije të veçantë bukës suaj, perime të ndryshme për të gatuar supa shumë të shijshme për të gjithë si kjo që do ndajmë sot.

Gjithashtu qiqra njihet si një nga përbërësit kryesorë të kuzhinës mesdhetare, kryesisht në përgatitjen e humusit, një salcë kremoze me qiqra të ziera, tahini, limon, ezëra & vaj ulliri.

Qiqrat zihen shumë lehtë nëse i vendosim të qëndrojnë në ujë 10-12 orë ose një natë të plotë përpara se ti gatuajmë.

Ashtu si thjerëzat dhe fasulet, edhe qiqrat mbeten një nga përbërësit e preferuar në familje.

Përbërësit

  • Një gotë qiqra
  • Një qepë
  • 1 karrotë
  • Një degë selino
  • 1 kungulleshkë
  • 1 spec i kuq
  • 3-4 rrepa
  • 3-4 domate qershi
  • qepë dhe hudhër e njomë
  • Dege rozmarine, majdanoz i freskët
  • Kripë, piper, piper i kuq, vaj ulliri

Përgatitja

  1. Si fillim do të shpëlajmë qiqrat që i kemi lënë të pushojnë në ujë gjatë natës dhe do i vendosim të ziejnë në një tenxhere duke i mbuluar me ujë të ftohtë. Kujtoj që qiqrat ziejnë shpejt nëse i kemi lënë disa orë të pushojnë në ujë. Shtojmë edhe një degë rozmarinë të freskët tek qiqrat.
  2. Ndërkohë që qiqrat ziejnë ne përgatisim perimet duke i larë, pastruar dhe prerë të gjitha kubikë të vegjël, si veprojmë për minestronen klasike, pasi edhe kjo një variant i supës minestrone është.
  3. Kur qiqrat kanë zierë jo plotësisht, shtojmë perimet e përgatitura. Shtojmë kripë, piper, vaj ulliri dhe do të lëmë të ziejnë të gjitha së bashku edhe për 20-30 minuta në zjarr mesatar të moderuar, në mënyrë që perimet të gatuhen mirë dhe supa të lidhet.
  4. Do e shijojmë supën në fund me kripë, piper, vaj ulliri, majdanoz dhe rozmarinë të frekët të prerë imët.
  5. Supën e shërbejmë të ngrohtë shoqëruar me bukë të thekur. Nëse doni një supë më të trashë, mund të shtoni një filxhan makarona supe gjatë gatimit.

Ju Bëftë Mirë!Easy Mediterranean Chickpea Soup-Family Cooking Recipes

Në Përmbyllje

Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.

Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.

“As an Amazon Associate, I earn from qualifying purchases. Full disclosure.

Leave a Comment