Beef Burek Recipe-Mesnik

Mesnik apo Byreku Me Mish Koke Viçi siç njihet ndryshe në Jug të vendit, është një recetë që ne e përgatisim kryesisht për festa dhe vakte familjare të gëzueshme. Këtë recetë mund ta përgatisim fare mirë edhe për fundjava kur gjitha familja mblidhet rreth tryezës dhe shijojmë gatimet e shijshme të nënave dhe gjysheve tona. Receta nuk është e vështirë, por kërkon pak më tepër kohë nëse dhe petët e pjekura do i përgatisim vetë në shtëpi.
Ne e përgatitëm sërish në festat e fundvitit, ndaj dhe po e ndajmë me ju në mënyrë që ta keni recetën për sa herë që dëshironi ta gatuani sipas traditës sonë. Ndryshe nga byreku me mish të grirë viçi, kjo recetë përgatitet me mishin e kokës së viçit, i cili është një mish i butë dhe lehtësisht i tretshëm. Njëkohësisht lëngu i kokcave të kokës së viçit është shumë i shijshëm për të arritur një recetë shumë të veçantë.

Në mungesë mund të zgjidhni për këtë recetë pjesën e ragusë së kofshës së viçit, osë të shpatullës, si për lëngun ashtu edhe për të marrë mishin që do të përdorim në shtrimin e byrekut. Si shumë nga recetat e traditës së jugut të Shqipërisë, në këtë recetë si erëz kryesore do të përdorim nenexhik të thatë. Mesniku është një byrek më i trashë se byrekët që përgatisim në përditshmëri. Ndiqni recetën me kujdes për sasinë e përbërësve dhe mënyrën e përgatitjes.

PërbërësitBeef Burek Recipe-Family Cooking Recipes

Për mbushjen

  • 1/2 kokë viçi ose 1 kg mish ragu
  • 1 qepë e madhe
  • Vaj ulliri
  • Kripë e piper
  • Nenexhik i thatë
  • Vaj misri 100 ml

Për petët

  • 1 kg miell
  • 500 ml ujë
  • Kripë

Për Petët e njoma

  • 200-250 g miell
  • 100-125 ml ujë
  • pak kripë

Përgatitja

Si për çdo byrek tjetër, gatimi i byrekut me mish koke viçi, apo Mesnik si ne e quajmë në Përmet, konsiston në tre faza:

  • Përgatitja dhe pjekja e Petëve
  • Përgatitja e mishit dhe mbushjes
  • Shtrimi dhe pjekja e byrekut

Përgatitja dhe pjekja e Petëve

  1. Në fillim do të zëmë brumin për petët e byrekut dhe pasi ta kemi lënë për 30 minuta që të pushojë e ndajmë në 14-15 pjesë.
  2. Secilën nga pjesët do i hapim në petë me trashësi për byrek dhe i pjekim. Mirë do të ishte të kishim një furrë me dru apo një saç që të piqnim petët, por në mungesë të zjarrit do të përdorim furrën e sobës. I pjekim petët me radhë dhe i lëmë veç. Pjekjen e petëve mund ta përgatisim edhe një ose dy ditë përpara se të gatuajmë byrekun. Për të lehtësuar punën tuaj ju mund të përdorni petë të gatshme.
  3. Nëse byrekun do e përgatisim të njëjtën ditë që po pjekim dhe petët, atëherë një nga petët mos e piqni dhe do e shtrojmë të njomë në fund të tavës në mënyrë që të mbledhim petët e pjekura dhe të rregullojmë anët e byrekut bukur kur ta shtrojmë.

Përgatitja e mishit dhe mbushjes së byrekut

Hapi i dytë është përgatitja e mishit , të cilin është mirë që ta ziejmë një ditë më parë, në mënyrë që ta pastrojmë nga kockat dhe yndura e tepërt dhe ta kemi gati për përgatitjen e recetës sonë.

  1. Kështu, e kemi copëtuar mishin e kokës, që të mund ta sistemojmë si duhet në një tenxhere, dhe ta ziejmë sa më mirë. I lajmë pjesët e mishit me ujë të rrjedhdhëm dhe i vendosim për të zjerë në një tenxhere të madhe me ujë të ftohtë, dhe kur të fillojë të ziejë do i shtojmë edhe kripë, dhe 1 qepë të ndarë në disa pjesë. Mund të shtoni edhe gjethe dafine, dhe ndonjë degë selino për të shtuar shijen e mishit.
  2. E lëmë të zjejë mirë dhe herë pas here i heqim shkumën që mishi do të nxjerri në sipërfaqe. Do ta lëmë mishin të zjejë për rreth 2 orë ose nqs do të përdorni një tenxhere presioni një orë. Duhet që mishi të shkëputet nga kocka me lehtësi. Nqs ju nuk keni kokë viçi mund të përdorni edhe pjesën e ragusë së shpatullës apo kofshës së viçit, duke e zier me gjithë pjesën e kockës, sepse kocka e bën lëngun të shijshëm.
  3. Do e lëmë të ftohet dhe e pastrojmë mishin nga kocka. E coptojmë në pjesë të vogla mishin dhe e lëmë mënjanë. Lëngun e kullojmë dhe e fusim në frigorifer në mënyrë që yndyra të ngrijë dhe ne ta heqim me lehtësi për një gatim sa më të shëndetshëm. Për gatimin e pjesës së mbushjes do të përdorim vaj ulliri që të gatuajmë një byrek sa më të lehtë dhe të shëndetshëm.
  4. Për përgatitjen e mbushjes, do të grijmë qepën hollë dhe e kavërdisim me vaj ulliri sa të zbutet. E ndajmë qepën në dy pjesë, në enë të ndryshme, dhe te njëra do të shtojmë edhe mishin e copëtuar dhe e kavërdisim edhe 3 minuta. I shtojmë 1/2 gotë ujë të ngrohtë dhe e lëmë të zjejë për pak minuta sa qepa të mos kërcasë. Do ta rregullojmë me pak kripë, piper dhe nenexhik të thatë.
  5. Në pjesën tjetër të qepës, do të shtojmë lëngun e mishit dhe kripë e piper të zi. E lëmë të zjejë 3 minuta dhe shtojmë edhe nenexhikun e thatë. Do të shtojmë edhe pak vaj ulliri dhe e lëmë lëngun të ftohet deri sa të arrijë një temperaturë të vakët.

Shtrimi dhe pjekja e byrekut

  1. Nëse i kemi përgatitur petët e pjekura ditë më parë, përpara se të shtrojmë byrekun do të përgatisim edhe 2-3 petë të njoma për ti shtruar në fund të tavës dhe në fillim të saj. Kjo na ndihmon të mbledhim më mirë petët e pjekura dhe byrekun gjatë shtrimit. Sapo kemi edhe petët e njoma gati fillojmë me shtimin e byrekut.
  2. Do të spërkasim tavën me pak vaj dhe do të shtrojmë dy prej petëve të njoma, të cilat i spërkasim mes tyre me pak vaj.
  3. Petët e pjekura i zhysim me radhë në lëngun e mishit , si veprojmë edhe me byrekun me qumësht dhe i vendosim me radhë në tavën e byrekut. Mund të zgjidhni që ti ndani petët në tre pjesë me nga pesë petë duke vendosur dy shtresa me mish, ose në dy pjesë me nga 7-8 petë dhe të gjithë mishin ta vendosim në një shtresë të vetme ne mes të byrekut.
  4. Pra krijojmë një shtresë me 5 petë dhe do të hedhim një pjesë të mbushjes me mish. Vazhdojmë me pesë petë të tjera të njomura më parë në lëngun e mishit dhe do të shtojmë sasinë e mbetur të mishit. Në fund përfundojmë shtrimin me petët e mbetura. Do të spërkasim petët mes tyre edhe me vaj misri gjatë shtrimit.
  5. Në fund do e mbyllim byrekun me një petë të njomë, por kjo është opsionale pasi gjatë pjekjes petët e zbutura të vendosura në krye të byrekut krijojnë një kore të bukur në pjekje edhe pa qenë nevoja të kemi një petë të njomë. E spërkasim me vaj misri dhe rregullojmë bukur anët e byrekut.
  6. E pjekim në furrë të parangrohur në 200 gradë për 35-40 minuta. Byreku në pjekje do të marri një ngjyrë të kuqërremtë. E heqim nga furra dhe e kthejmë në një tavë tjetër.
  7. E mbulojmë dhe e lëmë të ftohet. E presim në copa dhe e servirim të ngrohtë.

Ju bëftë mirë!Beef Burek Recipe-Family Cooking Recipes

Falemindërit që na ndiqni dhe mbështesni duke provuar, komentuar dhe ndarë recetat tona. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.

Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.

Leave a Comment