Fergese Me Speca-Fërgesë Elbasani Me Speca

Fërgesë me Speca është një gatim tipik shqiptar i stinës së verës, një kombinim plot shije i specave jeshil apo të kuq, domateve plot lëng, dhe djathit apo gjizës.

Fërgesa është gatuar ndër breza dhe kryesisht në Shqipërinë e Mesme, ku gjejmë disa receta të gatimit të fërgesës me speca, një më të pëlqyerat dhe që gatuhet gjerësisht në vendin tonë është kjo që do ndajmë sot.

Kjo është recetë tipike e zonës së Elbasanit, ku receta origjinale ka pasur si përbërës edhe mëlçi. Ndërsa varianti pa mëlçi që do ndajmë sot, rrjedh nga kjo recetë që fillimisht është krijuar nga familjet e varfra që nuk kanë pasur mundësi të siguronin mëlçi përherë. Gjithashtu, kjo njihej dikur edhe si Fërgesa e Fukarait, por që është shumë e shijshme dhe shumë verore si recetë.

Ju mund të provoni edhe Fërgesën me Mëlçi.

Përbërësit

  • 500 g speca jeshil me tul, mundësisht të rritura në mënyrë organike
  • 300 g gjizë ose 200 g djath i bardhë
  • 3-4 thelpinj hudhra
  • 3-4 domate të mëdha të pjekura
  • 1 spec djegës
  • Kripë, piper, vaj ulliri
  • 1 vezë për çdo person që do shërbeni fërgesën

Përgatitja

Përgatitja e Specave

  1. Nxehim furrën në 200 gradë.
  2. Fillimisht, lajmë specat dhe ashtu të plota, i thajmë, i vendosim në një tavë furre, i lyejmë me pak vaj ulliri dhe i fusim për tu pjekur në furrën e nxehur më parë për rreth 20 minuta.
  3. Pasi të jenë pjekur i specat, i mbulojme me letër alumini dhe i lëmë të ftohen. Ose i fusim në një qese plastike, e mbyllim dhe i lëmë aty derisa të ftohen. Kjo do të na ndihmojë që specat ti pastrojmë me lehtësi nga cipa e tyre. Mënyra me pjekje është më e shëndetshme, por ju mund ti prisni specat dhe ti kaurdisni në një tigan me pak vaj ulliri, për 7-8 minuta derisa të skuqen. Edhe dikur gjyshet tona specat i skuqnin për përgatitjen e fërgesës.
  4. Lërini specat e pjekur dhe të qëruar mënjanë dhe vijojmë me gatimin e fërgesës.

Gatimi I Fërgesës

  1. Në një tigan të thellë, shtojmë vaj ulliri, hudhrën e grirë, specin djegës dhe e lëmë sa të aromatizohet vaji me hudhrën dhe specin në nxehtësi mesatare. Nëse nuk e doni specin djegës mos e përdorni. Gjithashtu, nëse nuk e doni hudhrën të grirë mund të hidhni thelb, dhe pasi vaji të aromatizohet e heqim nga tigani.
  2. Shtojmë domaten e grirë në rende ose në një grirëse kuzhine dhe e lëmë të gatuhet në nxehtësi mesatare për rreth 10 minuta, sa të trashet dhe të krijojë një salcë. Shtojmë kripë dhe piper.
  3. Shtojmë specat e pastruar nga cipa dhe farat dhe të prerë në rripa.
  4. Pasi specat fillojnë të ziejnë tek domatja, shtojmë gjizën ose djathin e bardhë të thërrmuar me dorë.
  5. E gatuajmë fërgesën edhe për 3-4 minuta sa të fillojë të mpikset. Shtojmë vezët sy në sipërfaqe, (mund të shtoni sa vezë të doni, zakonisht shërbehet një vezë për çdo racion), mbulojmë tiganin me kapak dhe lëmë edhe 1-2 minuta derisa veza të mpikset. Në përfundin, e fikim dhe lëmë fërgesën të pushojë pak. Do e servirim të vakët ose të ftohtë.Fergese Me Speca- Family Cooking Recipes

Ju bëftë mirë.

Në Përmbyllje

Nëse doni të provoni mënyra të tjera të gatimit të fërgesës me speca, mund të provoni të shtoni edhe qepë bashkë me hudhrën, sipas traditës së qytetit të Tiranës. Për shije më verore mund ti shtoni edhe erëzat tuaja të preferuara, si majdanoz, rigon, etj. Mund të provoni ta gatuani edhe me speca të kuq, ose dhe lloje të ndryshme specash.

Faleminderit që na ndiqni.

Lutem, lini komentet dhe pyetjet tuaja mbi recetën.

Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.

“As an Amazon Associate, I earn from qualifying purchases. Full disclosure.”

Leave a Comment