Quiche me Patëllxhanë dhe Salçiçe është një tartë e kripur shumë e shijshme. Quiche është një zgjidhje shumë e mirë, ashtu si edhe pizza, byrekët, tortat e kripura, për të kombinuar produkte të ndryshme që mund të na kenë tepruar në frigorifer.
Në këtë recetë, ne kombinojmë patëllxhanë me salçiçe viçi të freskët për një shije të veçantë dhe shumë të pëlqyer.
Brumin gjithmonë mund ta përgatisim më parë dhe e kemi gati në frigorifer, por edhe në mënyrën që unë kam ndarë më parë me ju në Quiche me spinaq, ju mund ta përgatisni brumin në moment dhe në pak minuta quiche është gati për tu pjekur në furrë.
Unë preferoj të përgatis një brum të butë më vaj ulliri, i cili kur piqet është shumë i shkrifët dhe krokant. Por ju mund të zgjidhni që ta blini edhe gati një petë brise apo edhe frolla, nëse ju pëlqen më tepër.
Si çdo quiche, edhe kjo mund të shërbehet si një pjatë e dytë për një darkë, antipastë në një tryezë festive, bankete, por edhe një shoqëruese e pjatave tuaja të preferuara qofshin me bazë mishi apo zarzavate.
Gjithashtu mund ta shërbejnë si ushqim për piknik, për tu marrë me vete në punë apo shkollë.
Ju mund të provoni edhe Quiche me Salmon, apo Quiche me kërpudha.
Përbërësit
- 1 petë pasta brise ose sfoliat
- 1 patëllxhan i madh, ose dy të vegjël
- 2 salçiçe
- 1 qepë e kuqe
- Kripë, piper, majdanoz, vaj ulliri
- 200 ml pana kuzhine
- 2 vezë
- 50 g djath Guda ose Mozarella
- 3-4 lugë djath i grirë
Për brumin Brise
- 175 g miell
- 75 ml vaj ulliri
- 60 ml ujë i ftohtë
- Pak kripë
Përgatitja
Përgatitja e Petës
- Si fillim përgatisim brumin për petën. Në një tas përziejmë miellin me kripën dhe shtojmë vajin e ullirit. Do të na formohet një kokërrizim. Shtojmë ujin gradualisht dhe na formohet në pak minuta një brum i butë, të cilin e hapim direkt petë më pak miell. Nëse ju doni të përdorni brumë të gatshëm, mund ta kaloni këtë fazë.
- E vendosim petën në një tavë për pjekjen e tartave dhe do e pjekim paraprakisht duke i vendosur sipër një lëtër furrë të mbuluar me oriz, fasule, ose thjerrëza, qe të krijojnë peshë. Do e pjekim në furrë të parangrohur në 170 gradë për rreth 20 minuta.
Përgatitja e Mbushjes dhe Pjekja
- Ndërkohë do vijojmë të përgatisim mbushjen. Në një tigan do të shtojmë 2 lugë vaj ulliri dhe qepën e prerë imët në kubikë.
- Do e kaurdisim sa të zbutet pak dhe shtojmë salçiçen e freskët të zhveshur nga lëkura duke e shtypur dhe thërrmuar me ndihmën e dy pirunëve.
- Kur salçiçja dhe qepa janë kaurdisur mirë, do të shtojmë edhe patëllxhanin e prerë në feta të holla.
- Shtojmë kripë, piper, dhe i kaurdisim për disa minuta derisa patëllxhani të ndryshojë ngjyrë dhe të filloj të zbutet. Në fund shtojmë edhe majdanoz të freskët të prerë imët.
- Në një tas do të rrahim vezët me panën dhe 2 lugë djath të grirë duke i bërë një masë kremoze.
- Do të nxjerrim tavën me petën e pjekur pjesërisht dhe do të vendosim mbushjen e përgatitur. Do të vendosim sipër djath Mozarella ose Guda të copëtuar ose të grirë.
- Hedhim dhe masën e vezëve sipër dhe e mbulojmë me 2-3 lugë djath të grirë.
- E vendosim sërish të piqet edhe për 30-35 minuta, në furrën e nxehur më parë në 170 gradë. Do të shohim që anët e petës veçohen dhe në sipërfaqe do të marri një ngjyrë të bukur të kuqerremtë.
- E heqim nga furra, e vendosim në një pjatë dhe e lëmë të ftohet para se ta presim.
- E presim në copa dhe e servirim sipas dëshirës. Është një zgjidhje shumë e shijshme për një darkë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Në vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.