Kjo Tortë Pa Pjekje Me Luleshtrydhe është një recetë e shpejtë, plot shije dhe aromë, e freskët për stinën e pranverës dhe verës. Kjo tortë nuk ka nevojë të piqet dhe përgatitet shpejt. Duhet ta lëmë 2-3 orë të pushojë në frigorifer pas përgatitjes dhe është gati të konsumohet.
Është e ngjashme me tortat e tjera pa pjekje, por kësaj radhe nuk e kam përgatitur mbushjen me krem djathi por me kremin Diplomat. Qëndroni me mua të mësoni përgatitjen e kremit dhe tortës.
Mund ta shërbeni këtë tortë për një fundjavë, një pasdite me miq, apo edhe për një ditëlindje.
Ju mund të vizitoni Blogun tonë për më shumë ide tortash, ndërkohë unë ju sugjeroj edhe Cheesecake me Limon apo Cheesecake me Boronica.
Përbërësit për një formë më diametër 24 cm
Për bazën e biskotës
- 250 g biskota Pëttit
- 120 g gjalp i shkrirë
Për kremin Diplomat
- 500 ml qumësht
- 4 të verdha veze
- 2 lugë niseshte
- 4 lugë sheqer
- Lëkurë limoni
- 1 lugë çaji aromë vanilje
- 10 g gelatinë në fletë
- 500 ml pana që rrihet e ëmbëlsuar
- 500 g luleshtrydhe të freskëta
Përgatitja
Përgatitja e Bazës
- Do të përgatisim një formë keku me hapje me diametër 24 cm duke e veshur bazën dhe anët me letër furre.
- Do të grijmë biskotat në një grirëse kuzhine, ose i vendosim brenda një qeseje me mbyllje dhe i thërrmojmë duke kaluar rulin e kuzhinës sipër tyre.
- I hedhim biskotat e thërrmuara imët në një tas dhe aty shtojmë gjalpin e shkrirë. Do i përziejmë mirë që të na formohet një brumë i fortë.
- E hedhim këtë bazë në tavë, e shpërndajmë njëtrajtësisht dhe e ngjeshim fort. E vendosim në frigorifer për 20-30 minuta sa baza të ngrijë, dhe ndërkohë përgatisim kremin.
Përgatitja e Kremit
- Kremi Diplomat është përzierje e kremit të pastiçerisë me pana të rrahur, ndaj si fillim do përgatisim kremin e pastiçerisë. Vendosim një tas në frigorifet të ftohet.
- Do të vendosim në një tenxhere qumështin bashkë me lëkurën e limonit organik që të ngrohet dhe ndërkohë edhe të aromatizohet.
- Në një tas tjetër do të përziejmë të verdhat e vezëve me sheqerin dhe niseshten dhe do i trazojmë me një tel vezësh sa masa të lëngëzohet dhe sheqeri të tretet.
- Vendosim fletët e xhelatinës në ujë të ftohtë të zbuten pak minuta.
- Heqim qumështin nga zjarri, eleminojmë lëkurat e limonit dhe gradualisht fillojmë e shtojmë qumështin e ngrohtë te masa e vezëve.
- Kur të kemi përzierë të gjithë sasinë e qumështit me vezët, do e kalojmë sërish këtë masë në tenxhere dhe në temperaturë të ulët do e trazojmë derisa të trashet dhe na formohet kremi i pastiçerisë.
- Kremin e përftuar do e hedhim në tasin që ftohëm në frigorifer dhe aty do shtojmë edhe xhelatinën e zbutur dhe të zhtryshur nga uji. Do trazojmë mirë që xhelatina të tretet dhe kremi të ftohet. I vendosim një qese celofoni dhe e vendosim në frigorifer.
- Ndërkohë do rrahim panën të cilën e kemi vendosur në frigorifer të paktën 20-30 minuta përpara se ta rrahim. Do e rrahim me një rrahese vezësh elektrike sa të marri formë të qëndrueshme.
- Nxjerrim kremin e pastiçerisë nga frigoriferi dhe shtojmë aty pjesë pjesë panën e rrahur. I përziejmë mirë me rrahësen elektrike që të përftojmë një krem unik. Kremi yni Diplomat është gati të përdoret.
Torta
- Do i lajmë luleshtrydhet mirë dhe i kullojmë nga uji tepërt.
- Marrim tavën ku kemi vendosur bazën e biskotës dhe anëve të tavës do të vendosim luleshtrydhe të prera në mes. Hedhim një pjesë te kremit, e shpërndajmë mirë, dhe vendosim një shtresë me luleshtrydhe të prera në kubikë të vegjël. Hedhim sërish krem dhe hedhim edhe një shtresë tjetër me luleshtrydhe të prera. Nëse dëshironi mund ta zëvensësoni edhe me ndonjë frut tjetër.
- Përfurdojeni tortën me krem, e nivelojmë mirë dhe e vendosim në frigorifer të pushojë për 2-3 orë sa të ngurtësohet kremi dhe torta të na ruajë formën.
- Pasi kalon koha, e heqim nga forma, e vendosim në një pjatë servirjeje dhe e dekorojmë në sipërfaqe sipas dëshirës me luleshtrydhe të prera të freskëta.
- E presim tortën në feta dhe e shërbejmë.
- Ju bëftë mirë!
Ju ftoj ta provoni këtë recetë gjatë stinës së Pranverës. Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinion tuaj.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.