Harapash-Harapash Me Të Brendshme Keci

Harapashi është një recetë tradicionale e kuzhinës shqiptare, e cila në jug të vendit gatuhet me të brendshmet e qengjit apo kecit.

Rreth Harapashit

Secili prej nesh kur ka vizituar Jugun e Shqipërisë dhe Llogaranë, besoj ka shijuar këtë recetë të shijshme me miell misri në ndonjë prej restoranteve të zonës. Ndryshe nga receta e Polentës që gatuhet me miell misri, ujë e kripë, Harapashi gatuhet ndryshe në vendin tonë.

Harapashi në pjesët e tjera të Shqipërisë së Mesme apo Veriore gatuhet me miell misri, gjalp, dhe djath feta të thërrmuar. Në Jug e gatuajmë ndryshe. Kjo recetë përgatitet me të brendshmet e bagëtisë së imët, mishi i të cilave në këtë stinë është edhe më i shijshëm.

Teknika e gatimit është e ngjashme si te përgatitja e tavës me oriz apo makarona të gatuara me të brendshmet e qengjit apo kecit. Gatimi fillon me kaurdisjen e qepës me të brendshmet e qengjit. Përdorimi i gjalpit dhe djathit i japin një shije të veçantë dhe aromatizimi me nenexhik e bën këtë pjatë edhe më tipike të kuzhinës së jugut.

Në këtë periudhë të gjithëve na ndodh të blemë kec apo qengj për festa apo një fundjavë në familje. Ju ftoj ti gatuani në këtë recetë të brendshmet e tyre (zorrë, gjendra, melçi).

Ju mund ta vizitoni Llogaranë dhe Jugun e Shqipërisë sa herë të dëshironi po pasi të lexoni këtë artikull Harapashin mund ta përgatisni vetë.

Përbërësit për 4-6 PersonaHarapash-Family Cooking Recipes

  • Të brendshmet e një keci apo qengji
  • 3-4 qepë të thata
  • 200-250 g miell për polenta ose miell misri
  • 800 ml-1 litër ujë (raporti miell misri me ujë duhet 1 me 4)
  • 100 g gjalp
  • 100 g djath i bardhë feta
  • Nenexhik
  • Kripë, piper
  • 1-2 lugë vaj ulliri

Përgatitja

  1. Si fillim do të pastojmë mirë të brenshmet e qengjit ose kecit. Do i presim zorrët, gjendrat, mëlçinë, në copa të vogla.
  2. Qërojmë qepën dhe e presim në kubikë.
  3. Në një tigan të thellë, do të shtojmë 2-3 lugë gjalp dhe 1-2 lugë vaj ulliri dhe do i kaurdisim qepët me të brendshmet e prera të kecit apo qengjit. Nëse nuk keni zorrë apo nuk doni ti përdorni mund të përdorni gjendrat, mëlçinë e bardhë, veshkat, zemrën, etj.Harapash-Family Cooking Recipes
  4. Do i kaurdisim sa të zbuten dhe të marrin ngjyrë të artë në kafe. Shtojmë kripë, piper dhe ujë të zjejnë mirë.
  5. Kur qepa të jetë zbutur si duhet dhe të brendshmet të jenë gatuar do të shtojmë sasinë e ujit në  tenxhere duke ruajtur raportin një miell katër ujë.
  6. Shtojmë te lëngu edhe nenexhikun e freskët të grirë imët, ose në mungesë nenexhik të thatë.
  7. Kur uji vlon, shtojmë miellin si shi dhe trazojmë me lugë druri. Do të shikoni që masa fillon e trashet.
  8. Përziejmë mirë që të mos formohen kokërriza. Do e gatuajmë në temperaturë të ulët derisa masa e brumit të formuar të mos jetë plotësisht e lëngëshme. Për shkak të gjalpit dhe djathit, Harapashi del më i butë se polenta. Pasi e hedhim në pjatë fillon ngurtësohet duke u ftohur.Harapash-Family Cooking Recipes
  9. Pas disa minutave, kur të shikojmë që masa është lidhur mirë shtojmë një pjesë të djathit të thërrmuar dhe pjesën e mbetur të gjalpit.
  10. Vazhdojmë të përziejmë mirë që Harapashi të marri shijen e djathit dhe gjalpit. Shtojmë kripë dhe piper nëse është e nevojshme. E servirim të ngrohtë në një pjatë duke shtuar sërish djath të thërrmuar dhe nenexhik të freskët.
  11. Kjo është një antipastë shumë e shijshme që shijon veçanërisht në një drekë familjare me prodhime mishi.Harapash-Family Cooking Recipes

Ju bëftë mirë!Harapash-Family Cooking Recipes

Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Në vlerësojmë opinionin tuaj.

Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.

Leave a Comment