Wild Blueberry Muffins Recipe-Kekë Të Vegjël Me Boronicë Të Egër

Përgatitja e ketyre kekëve të vegjël me boronicë të egër është shumë e thjeshtë dhe ju siguroj që janë shumë të shijshëm. Përdorimi i boronicave të egra në këtë recetë e bën atë më të pasur në vlera ushqyese. Duke i konsumuar ne mund të shijojmë jo vetëm delikatesën dhe shijen e kekëve por të marrim edhe vitaminën C, me të cilën është i pasur ky frut.

Një prezantim i shkurtër i frutit të boronicës

Wild Blueberry Muffins Recipe-Family
Fruti i boronicës kryesisht përbëhet nga uji, rreth 84%, pjesa tjetër janë karbohidrate 14%, proteina dhe yndyrna, këto të fundit janë në nivele shumë të ulëta vetëm 0,3%. Fruti i boronicës së egër është i pasur në fibra, vitamina dhe minerale. Duke e konsumuar atë, ne garantojmë një pjesë të konsiderueshme të dozave ditore për organizmin tonë të vitaminave C, K, E, si dhe mineraleve si manganezi, magnez, hekur, apo fibrave që ndihmojnë tretjen. Boronica është një frut që përmban vlera të ulëta kalorike dhe glicemike. Gjithashtu përmban fenole që kanë një rol shumë të rëndësishëm në organizëm, dhe në boronicën e egër vlerat e tyre janë më të larta se në varietetet e kultivuara.
Pikërisht për vlerat ushqyese që mbart dhe për kënaqësinë që shumë prej nesh marrin kur e shijojnë boronicën, ajo është një prej frutave që kultivohet gjerësisht në gjithë globin, por vendet që kanë kultivimin më të lartë të varieteteve të boronicës, janë të gjithe shtetet e Amerikes Veriore dhe Jugore, Australisë, Zelandës së Re.Wild Blueberry Muffins Recipe-Family
Fatmirësi, në vendin tonë janë disa zona malore në veri dhe verilindje të Shqipërisë, në të cilat rritet boronica e egër. Ajo ka një kokërr më të vogël se varietetet e kultivuara, shumë e pasur me vitaminë C dhe me nivel sheqeri më të ulët dhe ka një shije pak më mahjoshe se boronica e kultivuar. Për këtë konsiderohet një nga frutat më të shëndetshme për tu konsumuar edhe nga personat diabetikë apo të gjithë ata që kanë probleme me infeksionet e rrugëve urinare, etj. Ne ju rekomandojmë ta blini sa herë ju jepet mundësia të gjeni boronica të freskëta të egra. Mund ti konsumojmë thjesh si frut, ti përdorim në mëngjeset tona duke i përzierë me drithëra, në formë lëngjesh, të bluara në pure apo të gatuajmë ëmbëlsira të ndryshme, një prej të cilave është dhe kjo që po ndajmë me ju sot. Boronicat e freskëta mund ti ruajmë në ngrirje për ti përdorur dhe në periudhat kur nuk i gjejmë të freskëta në treg, si dhe ti konservojmë në formë reçeli, pekmezi, apo si fruta të thara, me të cilat përgatisim çajra shumë të shijshëm dhe kurativë për stinën e dimrit.
Nga boronica e egër e feskët përgatitet verë dhe raki shumë e shijshme nëpërmjet fermentimit të frutit dhe lëkurës së tij.Wild Blueberry Muffins Recipe-Family Cooking Recipes
Kekët me boronica janë të përkryer të konsumohen në mëngjes dhe pasdite nga çdo pjesëtar i familjes, veçanërisht nga fëmijët që i preferojnë shumë, të cilët mund ti marrin me vete në shkollë ose kopësht. Kekët e vegjël janë një zgjedhje shumë e mirë për bankete, festa ditelindjesh, apo evente të tjera festive që kemi në familjet tona.

Përbërësit

Wild Blueberry Muffins Recipe-Family Cooking Recipes

  • 2 vezë
  • 150 g sheqer
  • 100 ml vaj
  • 150 ml qumësht
  • 250 g miell 00
  • 200 g borronica të egra
  • 1 pako fryrës
  • Vanilje
  • Sheqer pluhur

Përgatitja

  1. Ndezim furrën në 180 gradë. Radhisim të gjithë përbërësit në tavolinën e punës dhe fillojmë nga puna.
  2. Marrim një tavë me forma për përgatitjen e kekëve të vegjël.  Nëse kemi letra për kekët e vegjël, thjesht i vendosim nëpër forma dhe kështu do të jemi të qetë për ti nxjerrë lehtësisht kekët nga forma e pjekjes. Në rast kur kekët e vegjël me boronica i përgatisim për festa, letrat mbështjellëse për pjekje mund ti përshtaten dhe tematikës së festës, si prsh. për ditëlindje, duke e bërë edhe më të bukur paraqitjen e tyre. Në të kundërt mund ti spërkasim format me yndyrë për pjekje, e cila siguron që kekët të dalin lehtësisht nga format, por fare mirë mund ti lyejmë me pak vaj ose gjalp dhe ti pudrosim me miell. Pasi kemi tavën gati, fillojmë me përgatitjen e brumit.
  3. Në një tas të thellë, hedhim vezët dhe sheqerin, dhe me ndihmën e një rrahësi elektrik vezësh i përziejmë deri sa veza dhe sheqeri të krijojnë një shkumë dhe bëhen krem. Nëse vanilja që përdorni është lëng duhet ta shtoni menjëherë pas kësaj faze. Nëse do të përdorni ekstrakt vanilje apo sheqer vanilje duhet ta shtojmë përpara miellit.
  4. Shtojmë vajin pak nga pak duke vazhduar përzierjen me rrahësin me korent.
  5. Shtojmë qumështin dhe përziejmë deri në krijimin e një mase homogjene.
  6. Miellin e situr do e përziejmë me fryrësin dhe ta shtojmë tek masa e lëngëshme. Do të na krijohet nje brumë i butë dhe kremoz.
  7. Do të shtojmë boronicat dhe përziejmë me kujdes që të përhapen në gjithë brumin. Një pjesë do i lëmë mënjanë për ti shtuar në sipërfaqe të kekëve. Duke qenë se po përdorim boronica të egra ato qëndrojnë shumë mirë në brum, duke mos rënë në fund dhe nuk lëngështojnë enën për pjekje. Nëse do përdorim boronica të kultivuara duhet ti lyejmë me miell përpara se to shtojmë te brumi që mos të qëndrojnë vetëm në fund të kekut gjatë pjekjes.Wild Blueberry Muffins Recipe-Family Cooking Recipes
  8. Me ndihmën e një luge do të mbushim format në 2/3 e tyre dhe në fund do të shtojmë disa kokra boronicë sipër secilës formë. Nëse nuk kemi tavë me forma për kekët e vegjël, mindvtë përdorim edhe forma për pjekje një-përdorimshe alumini, ose forma silikoni të vogla për kekë të vegjël apo krem karamel.Wild Blueberry Muffins Recipe-Family Cooking Recipes
  9. Do i pjekim në furrën e nxehur më parë për 25-30 minuta. Bëjmë provën e pjekjes me kunj dhëmbësh.
  10. I nxjerrim nga furra, i lëmë të ftohen disa minuta. Pasi i nxjerrim nga format, i dekorojmë me sheqer pluhur.Wild Blueberry Muffins Recipe-Family Cooking Recipes
Ju bëftë mirë.
Wild Blueberry Muffins Recipe-Family Cooking Recipes
Shënim: Nëse nuk gjeni dot boronica të freskëta, mund ta bëni këtë recetë edhe me boronica të ngrira. Gjithashtu mund ta gatuani këtë recetë edhe me boronica të kultivuara nëse nuk arrini të gjeni të egra. Ndiqni udhëzimet dhe do të shijoni kek të butë dhe të shkrifët shumë të shijshëm.
Faleminderit që vizituat këtë recetë. Mund ta ndani atë me miqtë, apo të komentoni nëse e provoni recetën.

Leave a Comment