Boronica është një nga frutat e pyllit, i pasur me Vitamin C, të cilën e përdorim në shumë receta ëmbëlsirash dhe jo vetëm.
Keku Me Boronica që do të ndajmë sot me ju del shumë i shijshëm dhe i shkrifët, një delikatesë për mëngjeset apo pasditet tuaja. Ne vazhdimisht kemi ndarë më ju receta me boronicë të egër apo të kultivuar duke ju bërë të provoni shijen e saj të mrekullueshme në kekë të vegjël, plumcake, apo cheesecake.
Në recetën e sotme e kam zëvendësuar një pjesë të miellit, pjesërisht me niseshte misri dhe pjesërisht me miell kokosi. Keku është pa gjalp për një shije më të lehtë.
Gjithashtu nëse nuk keni boronica mjaftueshëm sipas recetës më poshtë, një pjesë të tyre mund ti zëvendësojmë me fruta të thata, por duke u kujdesur që të mbizotërojë boronica. Mua më kishin tepruar boronica, por jo mjafueshëm dhe një pjesë i zëvendësova me rrush të thatë.
Mënyra e përgatitjes është e thjeshtë. Përgatisim brumin në pak minuta duke rrahur përbërësit më një rrahës dore elektrik, direkt në furrë për pjekje.
Mbas pjekjes mund të zgjedhim ta dekorojmë si na pëlqen, duke spërkatur thjesht me sheqer pluhur, duke përgatitur një glasë me çokollatë si kam vepruar unë, apo edhe një glasë me sheqer pluhur. Në çdo rast boronicat kombinojnë më së miri.
Përbërësit
- 3 vezë
- 150 g sheqer
- 80 ml kos i bardhë natyral I bërë vetë ose kos grek
- 85 ml buttermilk (80 ml qumësht +5 ml lëng limoni)
- 100 ml vaj farash (luledielli apo misri)
- 150 g miell 00
- 75 g niseshte misri ose patate
- 75 g miell kokosi
- 200 g boronica të freskëta ose 150 g boronica +50 g rrush të thatë
- Lëkura e një limoni
- 1 lugë çaji aromë vanilje
- 1 pako fryrës për ëmbëlsira
Për dekor
- 150-200 g çokollatë e zezë ose me qumësht
- Fruta të thata, arra, bajame, boronica dhe gjethe mente sipas dëshirës.
Përgatitja
Faza Përgatitore
- Si fillim do të ndajmë të verdhat e vezëve nga të bardhat në dy tasa të thellë qelqi. Vezët duhet të jenë në temperaturë ambienti.
- Boronicën e lajmë mirë, e thajmë mirë, e pudrosim me miell dhe e lëmë veçmas për ta shtuar në fund. Disa kokrra i ruajmë për dekor. Nëse do e zëvendësoni një pjesë të boronicës me rrush apo kumbulla të thata, vendosini edhe këto në ujë.
- Përgatisim edhe një tavë keku me vrimë në mes me diametër 24 cm, e lyejmë me gjalp dhe pudrosim me miell, si dhe e vendosim në frigorifer derisa brumi të jetë gati. Kontrasti i tavës së kekut të ftohtë me furrën e nxehtë do të ndihmojë kekun të fryhet edhe më mirë.
- Qumështin do e përziejmë me lëngun e limonit mirë. Do të shtojmë edhe kosin dhe do i lëmë mënjanë për disa minuta sa të mbarojmë me rrahjen e vezëve.
- Rrahim të bardhat e vezëve veçmas dhe kur janë duke u bërë marengë, do të shtojmë 1/3 e sheqerit në tre pjesë. Do të na krijohet një marengë kremoze, e mbajmë mënjanë.
Bërja e Brumit
- Në një tas tjetër të thellë qelqi do të rrahim sërish me rrahëse korenti të verdhat e vezëve me pjesen e mbetur të sheqerit për pak minuta sa të na bëhet një shkumë e bardhë.
- Shtojmë pak nga pak në fije përzierjen e buttermilk dhe kosit duke rrahur vetëm me korent.
- Shtojmë edhe vajin po njësoj, lëkurën e grirë të limonit, dhe aromën e vaniljes.
- Veçmas kemi situr miellin, niseshten, miellin e kokosit dhe fryrësin dhe i kemi përzierë të gjitha bashkë.
- Do i shtojmë pjesë pjesë tek masa e lëngët duke rrahuar me rrahëse korenti që të na përzihet mirë.
- Shtojmë të bardhat e vezëve marengë pjesë-pjesë duke i përzierë nga lart poshtë.
- Kur brumi na është formuar, do të shtojmë boronicat e pudrosura duke i përzierë me spatul kuzhine nga poshtë lart në mënyrë që të shpërndahen mirë por edhe brumi të mos na bjerë. Nëse do përdorni rrush të thatë si në rastin tim, e kullojmë nga uji ku e vendosëm të zbutet dhe e shtojmë edhe atë tek brumi.
- Pasi kemi përzierë mirë, do e shtojmë brumin tek tava e kekut e përgatitur dhe e vendosim të piqet në furrë të parangrohur në 180 gradë për 35-40 minuta. Bëni provën me kunj dhëmbësh.
- E heqim nga furra, e lëmë të ftohet pak dhe e transferojmë në një pjatë.
- Kur keku është ftohur mirë, do të përgatisim një glasë dekoruese sipas dëshirës. Unë shkriva çokollatë të zezë në banjomari dhe kur keku ishte ftohur ja hodha sipër duke e dekoruar edhe me arra, bajame, boronica dhe gjethe mente.
- E lëmë sa të ngrijë sërish çokollata dhe e presim dhe e servirim sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Në Përmbyllje
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje mbi këtë recetë apo receta të tjera që do të gjeni duke eksploruar Blogun tonë.
Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.