Biskota Me Miell Gështenje Dhe Arra janë shumë të shijshme për mëngjes, për të shoqëruar çajin apo kafen, por edhe për tu servirur për festa duke i dekoruar me çokollatë.
Sot po i sjell në variantin bazë, pa përdorur dekorime apo ngjyrime shtesë, duke shijuar vetëm shijen e gështenjave, të cilat kombinojnë më së miri edhe me arrat.
Gjithashtu, nëse nuk kemi gati miell gështenjash, mund të përdorim tul gështenjash të ziera. Për këtë na duhet që të ziejmë gështenjat me gjithë lëkurë, pa i prerë. Do i pastojmë mirë dhe do i frulojmë në një grirëse kuzhinë imët duke përftuar një miell prej tyre.
Duke qenë se jemi në stinën e vjeshtës, recetat me gështenja nuk mund të mungojnë. Ju mund të provoni edhe Kekun Me Gështenja, apo pulën e mbushur me gështenja.
Përbërësit
- 200 g miell gështenjash, ose tul gështenjash të ziera
- 2 vezë
- 80-100 g arra të grira imët
- 100 g gjalp temperaturë ambienti
- 100 g sheqer kaf
- 300 g miell
- 1 lugë çaji fryrës për ëmbëlsira
- 1 lugë aromë rumi ose liker
Përgatitja
Brumi i Biskotave
- Si fillim do të përgatisim gështenjat, të zilat i kemi zierë dhe pastruar më parë. Do i grijmë imët në një grirëse dhe i lëmë mënjanë.
- Po kështu veprojmë edhe me arrat duke i grirë imët si miell në grirësen e kuzhinës.Do i përziejmë me miellin e gështenjave dhe miellin 00. Shtojmë edhe fryrësin.
- Në një tas, do të rrahim sheqerin me gjalpin sa bëhet krem me një tel dore ose me rrahëse me korent.
- Shtojmë edhe vezët dhe përziejmë mirë sa të kemi një masë homogjene. Shtojmë edhe likerin ose aromën e rumit.
- Do të shtojmë përzierjen e miellrave dhe do të përgatisim një brumë të butë. E mbështjellim me qese kuzhine dhe e vendosim në frigorifer të pushojë për 30 minuta.
Bërja e Biskotave Dhe Pjekja
- Pasi koha kalon, e hapim brumin me një rrul kuzhine në një petë me trashësi 0.5 cm ndihmuar nga letra e furrës që të mos na ngjisë.
- E presim në format që duam. Nëse doni ti jepni formën e gështenjës i presim në forma të rrumbullakëta dhe në njësin anë të rrethit bëjmë një zgjatim si sqep zogu me duar duke shtypur lehtë në anën tjetër. Unë zgjodha ti pjek thjesht në formën e lules.
- I vendosim në tava të veshura me letër furre dhe i pjekim biskotat në furrë të parangrohur në 180 gradë për 15 minuta.
- I heqim nga furra, i lëmë të ftohen pak dhe i kalojmë në një mbajtëse biskotash. Biskotat janë të buta në brendësi dhe të shkrifëta.
- Nëse doni ti dekoroni me çokollatë, mjafton të shkrini 200 g çokollatë në banjo amri ose mikrovalë dhe kalojini biskotat pjesërisht ose tërësisht në çokollatën e shkrirë.
- I lëmë sa çokollata të forcohet sërish dhe janë gati për tu shijuar. Në nivelin e sheqerit që ju kam shënuar e pranojnë çokollatën pasi nuk dalin shumë të embla.
Ju Bëftë Mirë!
Në Përmbyllje
“As an Amazon Associate, I earn from qualifying purchases. Full disclosure.”