Gështenja është një prej frutave që e shijojmë gjatë vjeshtës të zier, pjekur, apo në gatime të ndryshme. Sot duam të sjellim për ju një recetë të Kekut me Gështenja të Ziera, shumë i thjeshtë për tu përgatitur dhe shumë i shijshëm dhe plot aromë.
Përbërësit
- 600 g gështenja (rreth 300 g gështenja të qëruara)
- 220 g miell
- 3 vezë
- 200 g sheqer
- 100 ml vaj
- 100 ml qumësht
- 3 lugë kakao e hidhur
- vanilje
- 1 pako fryrës
- Sheqer pluhur
Përgatitja
- Do të ziejmë gështenjat për 10-15 minuta sa të zbuten, i qërojmë dhe tulin e përftuar do e frulojmë në një blender bashkë me vajin dhe qumështin.
- Ndezim furrën të nxëhet në 180 gradë celcius.
- Në një tas qelqi do të rrahim vezët me sheqerin sa të dyfishojë volumin, shtojmë vanilje.
- Në një tas tjetër sitim miellin dhe kakaon, shtojmë dhe fryrësin dhe i përziejmë mirë. E shtojmë këtë përzierje te veza me sheqerin pak nga pak. Do të dali një brumë pak i trashë, do të shtojmë përzierjen e gështenjave dhe do i përziejmë sa të bëhet një masë homogjene. Kremi gështenjave do e normalizojë dhe trashësinë e brumit.
- E hedhim masën në një formë keku të lyer me gjalp e miell dhe e pjekim në furrën e nxehur për 40 minuta. Bëni provën me kunjë dhëmbesh.
- E nxjerrim nga furra, e lëmë të ftohet pak, e transferojmë në një pjatë servirje dhe e dekorojmë me sheqer pluhur.
Është shumë i shijshëm për mëngjes, me një filxhan kafe apo çaj, i dashur për fëmijët pasi është në ngjyrën e çokollatës dhe më i lehtë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe vizitoni blogun tonë. Ne mirëpresim komentet tuaja pasi ta provoni.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.