Hallva Me Miell Gruri është një ëmbëlsirë shumë e thjeshtë. Na ndodh plot herë që duam të konsumojmë diçka të ëmbël, por nuk na ndodhet ndonjë kek apo biskotë gati.
Hallva përgatitet shpejt, me pak përbërës, mjafton të keni miell, gjalp dhe sheqer në shtëpi dhe do ëmbëlsoheni në pak minuta.
Kjo është një recetë e trashëguar nga kuzhina turke.
Traditat dhe zakonet në vendin tonë kanë përdorime të ndryshme për hallvën, por mua më pëlqen ta gatuaj si një ëmbëlsirë, e cila fare mirë shërbehet në përditshmëri.
Përbërësit
- 1 filxhan (kafe) gjalp
- 2 filxhan sheqer
- 3 filxhan miell
- 4 filxhan ujë
- 1 filxhan arra të grira
Përgatitja
- Do të hedhim në një tenxhere ujin dhe sheqerin dhe do ti lëmë të vlojë.
- Në një tenxhere tjetër, me fund të trashë, do të hedhim gjalpin dhe miellin dhe do ti përziejmë mire me lugë druri.
- Mund të përdorni edhe vaj ose mund ta bëni gjysëm për gjysëm. Duhet që mielli të kavërdiset dhe të marri ngjyrë të kuqërremtë të lehtë ose mund ta lini edhe ngjyrë lajthie të lehtë. Kjo varet nga ju.
- Duhet ta përziejmë gjithë kohës pa ndërprerje në nxehtësi të ulët. Kujdes që mielli të mos digjet sepse hidhërohet dhe hallva do të dali e keqe.
- Kur mielli të ketë arritur ngjyrën e dëshiruar, atëherë do të hedhim ujin dhe do ta përziejmë. Në këtë moment duhet të bëni kujdes se mos digjeni. Mirë është që dikush tju ndihmojë sepse ngrihen shumë avuj ( ngaqë uji dhe mielli janë të nxehta të dyja) dhe mund të digjni duart. Spostoheni tenxheren nga zjarri për një moment dhe pastaj vendoseni përsëri.
- Duhet që ta përziejmë shpejt. Do të shihni që mielli dhe uji do të bëhen një masë, e cila fillon trashet dhe do të formohet hallva.
- Përziheni dhe për pak, dhe kur të shikoni që hallva shkëputet nga luga atëherë është gati.
- Shtoni arrat e grira dhe është gati për ti dhënë formë. Unë i dhashë formë me 2 lugë.
- Servireni sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Në vlerësojmë opinionin tuaj.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.