Ravioli Të Mbushur Me Rikota është një pjatë e parë shumë e shijshme, sidomos kur pasta gatuhet vetë në shtëpi. Vazhdimisht në familje gatuajmë pasta të freskët. Kjo është një recetë klasikë që nuk duhet të mungojë në tryezën e askujt që pëlqen pastat, sidomos kur ka pasion ti gatuajë vetë ato.
Të gatuash pasta në familje e bën edhe më të dashur kalimin e kohës rreth tryezës sidomos gjatë fundjavës kur mblidhemi të gjithë dhe kemi më tepër kohë për të kaluar me njëri-tjetrin.
Në vijimësi do ndajmë me detaje të gjitha hapat që duhet te ndiqni për të përgatitur Ravioli Me Rikota. Gjithashtu nëse jeni fillestarë dhe nuk doni të impenjoheni aq shumë mund të hidhni një sy si të përgatisni Tagliatelle, Reginette apo Orechiette.
Përbërësit
Për brumin e Raviolit
- 3 vezë
- 300 g miell
- Kripë
Për mbushjen
- 250 gram rikota e freskët
- 100 g djath parmixhan i grirë
- 1 e verdhë veze
- kripë e piper
Për salcën
- Vaj ulliri
- Një thelp hudhër
- Pure domatesh
- Kripë e piper
- Borzilok
- djath grana i grirë
Përgatitja
Përgatitja e brumit
Si dhe kemi ndarë në receta të tjera me pasta të freskët, hapi i parë për realizimin e kësaj recete është përgatitja e brumit për Ravioli.
- Do të përgatitim brumin e pastave duke përzierë përbërësit me një mikser për brumë, ose edhe e zëmë brumin me dorë si veprojmë për byrekun.
- Brumin e punojmë mirë sa të kemi një brumë të butë, elastik dhe do ta lëmë të pushojë për 30 minuta.
Përgatitja e mbushjes së Raviolit
- Ndërkohë që përgatisim brumin e pastave, rikotën do ta vendosim të kullojë ujin e tepërt në një kullesë apo sitë kuzhine.
- Pasi rikota ka humbur ujin e tepër dhe ka kulluar plotësisht e kalojmë në një tas të thellë.
- Shtojmë aty edhe djathin e grirë dhe të verdhën e vezës dhe do të përziejmë përbërësit. Gjithashtu, shtojmë kripë e piper të zi të grirë në moment dhe mbushjen për raviolit tona e kemi gati.
Përgatitja e Raviolit
- Do të përgatitim Raviolit duke hapur si fillim brumin e pastave. Kështu me makinën e pastave ose edhe me rulon do ta hapim brumin në një petë të holle duke konsideruar që peta do paloset dhe raviolit duhet të mos rezultojnë shumë të trasha në fund.
- Kështu, unë përdora makinerinë e brumit dhe e hapa petën deri te nr 6, por ju mund ta hapni brumin edhe me një petës. Në këtë rast ka një mënyrë që mund ta testoni nëse peta eshtë hapur si duhet. Kështu nëse i fryni petës ashtu hapur si e keni në tavolinë dhe peta ngrihet lehtë nga vendi ku ndodhet atëherë trashësia e petës është e duhura.
- Pasi ta kemi hapur petën do të nisim mbushjen. Kështu, do të vendosim mbushjen në gjysmën e petës, sa një kokerr arre në distancë nga njëra-tjetra. Mbushjen e vendosim në mënyrë të rregullt që kur ti presim të ruajnë bordurën dhe raviolit të dalin njëtrajtësisht të rregullta.
- Pasi kemi mbaruar me vendosjen e mbushjes mbi petë, do ta palosim petën duke mbuluar mbushjen. Puthitim mirë pjesët dhe i presim raviolit. Kur përfundojmë i vendosim në një sipërfaqe të pudrosur me miell dhe përgatisim salcën për ti shoqëruar.
Përgatitja e Salcës dhe Gatimi I Raviolit
- Në një tigan do të shtojmë vaj ulliri dhe një thelp hudhër dhe e vendosim të ngrohet që vaji të fillojë të aromatizohet. Sapo hudhra ka lëshuar aromën e heqim dhe shtojmë purenë e domates.
- E lëmë të gatuhet disa minuta në zjarr të ulët, e shijojmë me kripë, piper dhe shtojmë borzilokun e freskët të copëtuar me duar.
- Ndërkohë në një tenxhere me ujë dhe kripë që vlon do të shtojmë raviolit e freskët dhe i ziejmë për 4-5 minuta sa të dalin në sipërfaqe të ujit.
- I kullojmë raviolit e ziera dhe i shtojmë te salca. I përziejmë me kujdes dhe i shërbejmë të ngrohta në një pjatë të madhe, ose në pjata individuale. Unë I shërbeva në një pjatë të madhe në mes të tavolinës. Shtojmë edhe djathin e grirë sipër dhe gjethe borziloku.
Ju Bëftë Mirë!
Në Përmbyllje
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.