Tasqebap Me Mish Viçi është një pjatë tradicionale shqiptare e cila gatuhet në çdo stinë, por më së miri shijon në stinët e ftohta.
Kjo pjatë mund të shërbehet si pjatë unike shoqëruar me sallatë të stinës apo pilaf.
Gatimi i saj është shumë i thjesht, mjafton të ndiqni hapat dhe teknikat si më poshtë dhe do ju dali një pjatë shumë e shijshme, të cilën mund ta gatuani në përditshmëri për drekë, apo darkë në familje.
Nëse ju pëlqejnë recetat tradicionale mund të provoni edhe Paçe apo Tave Dheu Me Mish.
Përbërësit
- 500 g mish viçi
- 2 qepë
- 100 ml salcë domatesh ose 2 domate të pjekura mirë.
- Vaj ulliri, kripë e piper, rigon i thatë
- 1 gotë verë e bardhë
- 3-4 thelpinj hudhër
- 1 lugë miell jo plotë
- Gjethe dafine
Përgatitja
- Për këtë lloj gatimi do të na duhet mish viçi tul. Do ta presim në copa të vogla .
- Pastrojmë dhe grijmë qepët jo shumë hollë dhe i hedhim në një tenxhere qe nuk ngjit. Shtojmë vaj ulliri, pak kripë dhe pak uje dhe nisim kavërdisjen. E përziejmë dhe presim sa të zbutet.
- Shtojmë mishin dhe e përziejmë që të marri nxehtësi në të gjitha anët. Shtojmë kripë e piper te zi. Do të vazhdojmë ta përziejmë dhe e gatuajmë mishin me qepën për disa minuta.
- E shuajmë me verën e bardhë. Vazhdojmë ta përziejmë në temperaturë mesatare në të ulët dhe e gatuajmë sa të shohim që mishi ka marrë një ngjyrë dhe qepa është tretur ( të mos kërcasë në gojë).
- Shtojmë salcën ose domatet e pastruara nga lëkurat dhe farat dhe të grira hollë.
- Do të shtojmë ujë sa të mbulohet dhe shtojmë edhe gjethet e dafinës dhe hudhrën në thelpinj.
- E mbulojmë tenxheren dhe e lëmë të ziejë me zjarr të ngadaltë sa të zbutet mishi. Duhet që gjella të mbetet në salcën e vet. Mund ta lini ashtu ose mund ta trashni lëngun me pak miell. Në këtë rast do ta hollojmë miellin me pak ujë të ftohtë dhe e shtojmë te gjella. E lëmë të trashet avash avash mbi zjarr.
- Shtojmë rigon të tharë dhe e servirim. Mund ta shoqëroni me pilaf, buke të thekur, pure patatesh ose në rastin tonë e kemi servirur me polenta të skuqur.
- D m th. Polentën e përgatitur më parë dhe të ftohur e presim në feta dhe e kalojmë në tigan të nxehur, ku kemi shtuar pak vaj dhe pak gjalp. Kjo do ti shtojë më shumë shijen. Mund ta ervini polentën edhe sipas gatimit tradicional. Recetën e polentës e gjeni Këtu.
Ju Bëftë Mirë!
Këshilla:
Në rastin kur përdorim domate në gatim, do ta gatuajmë më gjatë sa të shohim që pjesa më e madhe e lëngut të domates ka avulluar. Nëse do të përdorim salcë, gatimi është më i shpejtë.
Në Përmbyllje
“As an Amazon Associate, I earn from qualifying purchases. Full disclosure.”