Kjo recetë e Pite Të mbushura Me Pulë është shumë e shijshme dhe e lehtë për tu përgatitur. Një recetë që gatuhet shpejt në furrë, për një shije të veçantë. Këtë recetë mund ta konsumoni për të shoqëruar vaktet tuaja në vend të bukës, por edhe mund ta shërbeni në piknik, për tu marrë me vete në punë, në shkollë, etj.
Pitet dalin të buta, të aromatizuara dhe të pëlqyera nga të gjithë, edhe fëmijët.
Ju mund të provoni edhe Pite Me Kos apo Pite Turke.
Përbërësit për 2 Pite
- 200 ml qumësht i ngrohtë
- 10 g maja
- 1 lugë sheqer
- 360 g miell
- 1 lugë çaji kripë
- Vaj vegjetal
Për mbushjen
- 1 gjoks pule i madh i gatuar
- 1 vezë
- 300-350 g djath i grirë
- 1 lugë kripë, piper
Gjalp për ta lyer bukën në sipërfaqe
Përgatitja
Gatimi i Brumit
- Si fillim do të përgatisim brumin për pitet tona. Me këtë sasi brumi që kemi këtu dalin dy pite të mëdha, ju mund të shtoni dozat për më tepër.
- Hapi i parë është tretja e majasë në një tas bashkë me qumështin. Përdorim qumësht të vakët por jo të nxehtë që të mos na e vrasë nxehtësia majanë.
- Pasi kemi përzier qumështin me majanë, në një tas tjetër përziemë kripën me sheqerin, dhe do fillojmë të zëmë brumin duke shtuar gradualisht përbërësit e thatë te qumështi.
- Kur të na jetë formuar brumi do të lyejmë duart me vaj dhe do ta mbledhim brumin duke e punuar me pak vaj. Nuk përdorim tjetër miell.
- Kur përftojmë një brum të butë, e rrumbullakosim dhe e vendosim në një tas të lyer me vaj, dhe brumin sërish e lyejmë me vaj në sipërfaqe. Do e mbulojmë me celofon dhe një pecetë dhe në temperaturë ambineti ose në furrë të ngrohur do e lëmë të vijë sa t ë dyfishojë volumin.
Gatimi i Mbushjes
- Gjatë kësaj kohe do të përgatisim mbushjen. Gjoksin e pulës e ziejmë me ujë e kripë, ose nëse dëshironi mund të shtoni edhe perime te lëngu, të cilin e përdorim për të përgatitur një supë të shijshme.
- Pasi zien, mishin e pastrojmë nga kockat dhe e grijmë në një grirëse kuzhine.
- E hedhim mishin e grirë në një tas, shtojmë aty një vezë, kripë, piper dhe djathin e grirë. Unë përdora djath Mozzarella dhe Guda. Ju mund të përdorni djathin që ju pëlqen më shumë. I përziejmë mirë të përftojmë një masë.
Mbushja e Bukës
- Kur brumi është gati, do e rrumbullakosim dhe ndajmë në dy pjesë të barabarta, të cilat sërish i rrumbullakosim. Në të njëjtën mënyrë veprojmë edhe me mbushjen duke e ndarë në dy pjesë dhe rrumbullakosim njësoj si brumi.
- Brumin mund të zgjidhni ta hapni me miell dhe një rrul, ose fare thjesht spërkasim suprinën me pak vaj dhe me duart me vaj e hapim brumin duke shtypur lehtë. Në fillim hapim një diametër sa dora duke llogaritur që pjesa e mbushjes të mbështillet e gjitha me këtë diametër.
- E mbështjellim mbushjen mirë, i puthitim mirë anët e brumit dhe ashtu si e kemi do e hapim sërish sa të mundemi piten në mënyrë të njëtrajtshme.
- E vendosim në një tavë të veshur me letër furre, e hapim mirë, do i bëjmë me gisht një hapje në mes pites dhe e pjekim në furrë të parangrohur në 250 gradë derisa të marri ngjyrë të artë.
- Kur pitja është gati, e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me gjalp ashtu të nxehtë si është. Kjo bën që pitja të zbutet.
- E lëmë të ftohet pak, dhe e presim në pjesë. E shërbejmë menjëherë, ose sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona ditore. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Në vlerësojmë opinion tuaj dhe përmirësohemi falë jush.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.