Gjeli i Detit është mbreti i tavolinave tona në festat e fundvitit, një nga llojet e shpendëve i preferuar nga të gjithë.
Gjeli Detit Me Përshesh është një nga pjatat tradicionale prej të cilës shumica prej nesh nuk heqin dorë dhe e pëlqejnë ta shijojnë të paktën në një prej vakteve gjatë këtyre ditëve festive. Jam e sigurt se Gjeli i Detit i Pjekur shoqëruar me përshesh do të jetë një nga pjatat tuaja të darkës së Vitit të Ri.
Si Ta Gatuajmë Gjelin e Detit?
Shpesh na pyesni mbi mënyrat e pjekjes së gjelit të detit dhe si ta shoqërojmë atë, ndaj në këtë recetë ju do mësoni një nga mënyrat më të thjeshta dhe të shijshme për pjekjen e gjelit të detit.
Në rastin e përgatitjes së përsheshit si në recetën tonë, gjelin e detit e pjekim sa më thjeshtë që të ruajmë shijen delikate dhe unike të gjelit të detit. Përsheshin e shijojmë me lëngun e gjelit të aromatizuar me qepën, nenexhik dhe të brendshmet e gjelit të cilat i japin lëngut të përsheshit një shije shumë të veçantë.
Nëse dëshironi që gjelin ta marinoni me më tepër erëza dhe ta gatuani të mbushuar apo ta shoqëroni me perime të furrës, ju mund ti hidhni një sy sa më poshtë tek recetat tona të ngjashme dhe shumë festive.
Marinimi që përdorim tek receta e pulës së pjekur në tavë me kapak, është shumë i shijshëm dhe mund të veproni në të njëjtën mënyrë për gjelin e detit.
Duhet pasur parasysh që të shtoni dozat e gjalpit dhe erëzave të përdorura pasi gjeli është më i madh në peshë dhe me kujdes të marinoni gjithë sipërfaqen e gjelit nën lëkurë dhe sipër saj, për një shije ndryshe dhe plot aromë.
Gjithashtu mund të shtoni në tavë përreth gjelit karrota, patate, selino, qepë, apo perime të tjera të preferuara nga ju. Ndërkohë, një pjesë të perimeve si karrota, qepë dhe erëza i vendosim edhe brenda barkut të gjelit.
Kini parasysh që perimet ti prisni në copa të mëdha pasi koha e pjekjes së gjelit është e gjatë. Në këtë mënyrë edhe perimet piwen mirë dhe mbeten krokante.
Recetat dhe idetë për pjekjen e Gjelit të detit të rekomanduara nga ne sa më lart janë të gjitha shumë të shijshme dhe ju mund ti provoni për këtë fundvit.
Gjeli i Detit Me Përshesh
Sa i përket recetës së sotme, kjo është zgjedhja në familjen tonë, e thjeshtë, me pak përbërës dhe shumë e shijshme, dhe jam e bindur që gjithashtu do jetë një nga zgjedhjet e menusë për darkën e ndërrimit të viteve për shumë nga ju.
Kjo mund tju duket një recetë e thjeshtë po gjërat e thjeshta janë edhe ato më të shijshmet. Sekreti është të zgjedhim përbërës cilësor dhe të freskët.
Unë kam zjedhur një gjel deti organik të rritur nga fermerë lokalë të besuar. Mishi i gjelit të detit ka një shije të mirë dhe të veçantë, e cila është njëkohësisht një nga zgjedhjet më të shëndetshme për festa sidomos pjesa e gjoksit të gjelit, e cila rekomandohet për çdo moshë në familje.
Përbërësit
- Një Gjel Deti 3-4 kg
- Vaj Ulliri
- Kripë e piper
- Kulaç për përgatitjen e përsheshit
Përgatitja
- Gjelin e detit të pastruar, e kemi larë dhe tharë me letër kuzhine. E marinojmë mirë me kripë e piper të zi nga brenda dhe jashtë, e lyejmë mirë me vaj ulliri dhe e vendosim në tavë. E mbulojmë tavën me letër alumini duke e mbështjellë mirë dhe puthitur letrën në çdo cep të tavës.
- E nxehim furrën në 200 gradë dhe e fusim gjelin të piqet. Do të duhet 3-4 orë të piqet në varësi të peshës, ose dhe me shumë nëse nevojitet dhe gjeli është shumë i fortë. Llogaritni rrreth 1 orë kohë pjekje për cdo kg mish. Unë nuk e zbuloj tavën dhe avulli që lëshon gjeli i detit të pjekur dhe lëngu i tij do ta ruajnë mishin e gjelit të butë dhe gjithë lëng kur ta servirim.
- Kur të kenë kaluar 2 orë ju mund ta nxirrni tavën me kujdes dhe ta shikoni gjelin. Mund edhe ta ktheni nga ana tjetër nëse e keni sistemuar të shtrirë brinjazi në tavë dhe jo me shpinë. Nqs nuk ka shumë lëng në tavë, i shtoni një gotë ujë të nxehtë dhe të mbuluar mirë përsëri e fusni në furrë që të vazhdojë pjekjen.
- Kontrolloni në qoftë se është pjekur apo jo duke e tërhequr pak kofshën e gjelit. Nqs ajo tërhiqet atëherë mishi është pjekur si duhet.
- Kur ka mbaruaj pjekja plotësisht, do e lëmë të ftohet rreth 30 minuta ose 1 orë dhe e presim në tavolinë për kënaqësinë e miqve dhe familjarëve tanë. Pjesën e gjoksit ne e presim në feta të holla dhe jua shërbejmë të gjithëve në pjata me përsheshin e përgatitur. Të gjithë në familjen tonë e pëlqejnë shumë të pjekur dhe servirur Gjelin në këtë mënyrë.
Përgatitja e Përsheshit
Për të shoqëruar gjelin e detit të pjekur ne bëjmë përshesh me kulaç si dhe kemi shpjeguar tek receta e Pulë Më Përshesh. Kulaçin e përgatisim vetëm me miell gruri dhe sodë buke. Lexoni të plotë recetën e përgatitjes së kulaçit për përsheshin.
Në recetën e sotme, ndryshe nga pula me pershesh, kemi shtuar brenda në lëngun e përsheshit edhe të brendshmet e gjelit të detit, plëncin edhe mëlçinë, të prera të vogla dhe të kavërdisura me qepën e prerë hollë.
Pasi qepa dhe të brendshmet e gjelit do të kaurdisen dhe zbuten do të shtojmë edhe lëngun që ka lëshuar gjeli i detit gjatë pjekjes. Lexoni mënyrën e përgatitjes te Pula Me Përshesh pasi është e njejtë. Ne do jua ilustrojmë sërish me video.
Ju bëftë mirë dhe Gëzuar Vitin e Ri!
Faleminderit që zgjidhni Blogun tonë për recetat tuaja të përditshmërisë dhe të përgatitjes së festave të fundvitit.
Jeni të mirëpritur të provoni, ndani, apo komentoni recetën. Ne vlerësojmë mendimin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.