Involtini Primavera (Role Pranvere Me Perime) është një recetë e kuzhinës kineze, të cilën ne sot do e sjellim në versionin klasik të saj.
Rreth Recetës
Kjo recetë gatuhet nga populli kinez me rastin e Vitit të Ri Kinez, i cili përkon edhe me fillimin e Pranverës sipas kalendarit lunar Kinez. Prandaj edhe quhen ndryshe Role Pranvere.
Roletë përgatiten me petë të holla, transparente dhe elastike, të cilat mund ti blemë të gatshme ose ti përgatisim edhe vetë në formën e krepave në shtëpi.
Brumi gatuhet lehtë, njësoj si brumi për byrek, por ndryshimi është që për zënien e brumit përdorim ujë të ngrohtë. Kjo e bën petën më elastike dhe të fortë që të mos griset kur e palosim.
Gjithashtu, mbushjet janë të shumta, me perime, me mish pule, me mish gici.
Gatimi traditional kryhet me skuqje në tigan, por edhe mund ti gatuajmë në furrë apo avull.
Kur petët i përgatisim vetë mund të zgjedhim ti gatuajmë në avull. Në këtë mënyrë mund ti mbushim dhe ti konsumojmë direkt, sidomos për fëmijët është më e shëndetshme të mos i skuqim.
Sigurisht që mbushja gatuhet sipas ingredientëve që do përdorim.
Kryesisht për marinimin e mbushjes përdoret verë orizi, salcë soje, apo edhe uthull balsamike.
Për ti shoqëruar mund të përdorni salcën agrodolçe kineze.
Përbërësit
Për brumin
- 200 g miell + për hollimin e petëve
- Pak kripë
- 120 ml ujë i ngrohtë
Për mbushjen
- 1 qepë e njomë ose një qepë e vogël e thatë
- 1 karrotë mesatare
- 150 g lakër e bardhë
- Kripë, piper
- 2-3 lugë verë orizi ose raki orizi
- 1 lugë Salcë soje
- 1 e bardhë veze për të lyer petët
Vaj vegjetal për skuqje
Përgatitja
Brumi dhe petët
- Si fillim, do të zëmë brumin. Në një tas do shtojmë miellin, kripë dhe ujin e ngrohtë duke përzierë me një pirun.
- E punojmë brumin me dorë duke pasur kujdes mos digjemi në fillim. Kur të kemi brumin gati, e mbledhim me një qese celofoni dhe e lëmë të pushojë për një orë.
- Kur të ketë kaluar koha, do e punojmë brumin për disa minuta sa të kemi një brum të butë.
- Do formojmë një cilindër me brumin dhe do e ndajmë në pjesë me madhësi sa një komërr arre
- Spërkasim topthat e brumit me miell të mos ngjisin.
- Duke i rrumbullakosur me duar do i hapim në kulaç të vegjël.
- Secilin prej tyre do e lyejmë me vaj mirë në sipërfaqe dhe do i vendosim sipër njëri-tjetrit nga 5-8 copë. Mund të shtoni dhe nga pak miell midis petëve që ti veçojmë më lehtë më pas.
- Duhet që disqet e petëve të jenë në një madhësi. Fillimisht do mundohemi që bashkimin e disqeve ti shtypim me gishta duke u munduar që të ngjeshen lehtë. Nuk duhet të ngjeshim fort në mes pasi mund të na ngjiten.
- Kur të kemi hapur sa mundemi me duar, do vijojmë hapjen e petës me një rul të vogël. Proçedojmë lehtë anëve pa shumë presion sa të hapim një petë me diametër 15-20 cm.
- Kështu veprojmë me të gjitha petët.
Gatimi i petëve në avull
- Do të vendosim një tenxhere me ujë të vlojë dhe sipër saj një sitë që përdorim për gatimin në avull. Vendosim një letër pjekje në bazë, dhe kur ujë vlon do vendosim petën e hapur.
- E lemë të gatuhet 6-8 minuta në avull. Do shikoni që peta do krijojë fluska. Mund ta ndani me lehtësi.
- E kalojmë sipër një pecete kuzhinë të pastër dhe i veçojmë petët me lehtësi. Kujdes mos i grisni.
- I vendosim në një pjatë dhe i mbajmë mënjanë gati për ti përdorur të freskëta ose të skuqura apo furrës.
Mbushja
- Do të presim perimet hollë julienne. Në një tigan, shtojmë pak vaj dhe qepën.
- Kur qepa fillon të zbutet shtojmë karrotat. Shtojmë edhe lakrën dhe pak kripë, që dhe perimet të ruajnë ngjyrën.
- Do i gatuajmë pak minuta sa të zbuten. E shuajmë me verën e orizit ose një lugë raki orizi.
- E kalojmë në një kullesë të heqim lëngjet e tepërta. E vendosim në një tas të hapur duke i hapur perimet me pirun të ftohet që të ruajnë ngjyrën.
- Përpara mbushjes i marinojmë edhe me pak salcë soje. Kujdes me kripën.
Mbledhja
- Vendosim petën në tavolinë. Në njërin cep hedhim një lugë nga mbushja.
- Palosim petën sipër mbushjes dhe bëjmë gjysëm rrotullim.
- Palosim krahun e djathtë, e pastaj të majtim, sërish gjysëm rrotullim.
- Në skaj të harkut të petës që ende nuk kemi mbledhur do e lyejmë me të bardhë veze.
- E rrotullojmë deri në fund dhe e vendosim involtinin në një pecetë kuzhine.
- I përfundojmë kështu të gjitha.
Skuqja
- Në një tigan shtojmë vaj për skuqje. E lëmë të nxehet mirë dhe skuqim involtinit nga të dyja anët sa të marrin ngjyrë të kuqërremtë. Mos i lini shumë se skuqen shpejt.
- I vendosim mbi një letër kuzhine të thithi vajin e tepërt dhe i servirim të ngrohta me salcën agrodolçe.
Ju bëftë mirë!
Në Përmbyllje