Kjo recetë e Byrekut me Domate dhe Qepë është tipike e stinës së verës, një recetë për një vakt dreke ose darke, si pjatë e parë, shoqëruese, apo edhe pjatë e dytë për vakte të lehta. Një recetë vegjetariane shumë e shijshme me petë të holluara vetë por mund të zgjidhni edhe ti blini. Mënyra që me ju rekomandojmë është e thjeshtë dhe e shpejtë.
Përbërësit
- 3-4 qepë të mëdha 600-700g
- 1.5 kg domate të pjekura
- Vaj ulliri, kripë, piper, borzilok
- 1/2 gotë qumësht
- Vaj misri për byrekun 100 ml
Për brumin
- 600 g miell
- 300 ml ujë
- 1 lugë çaji kripë
Përgatitja
- Në një enë shtojmë miellin e situr, kripën, dhe duke shtuar pak nga pak ujin zëmë një brumë të butë për byrekun tonë. Mund ti referoheni recetës sonë për brumin e byrekut, për më tepër detaje.
- Pasi e kemi punuar brumin mirë do e mbulojmë me një pecetë të pastër kuzhine dhe do e lëmë të pushojë për 30 minuta.
- Pastrojmë qepët dhe i grijmë me thikë në kubikë mesatar.
- Në një tigan të thellë shtojmë vaj ulliri dhe qepët e grira dhe i gatuajmë në zjarr mesatar duke i përzierë herë pas here. Shtojmë kripë e piper dhe e mbulojmë tiganin me kapak që qepa të zbutet sa më shpejt. Mund të shtojmë edhe pak ujë nëse do të duhet.
- Ndërkohë grijmë domatet e pastruara nga lëkura dhe i shtojmë te qepa. Mund ti grini në grirëse me korent ose edhe me renden. Vazhdojmë ti përziejmë here pas here dhe e lëmë të gatuhet për 15- 20 minuta sa të na formohet një salcë e trashë. Ne fund shtojmë gjethe borziloku të grira dhe e lëmë të ftohet.
- Qepës dhe domates i shtojmë edhe qumështin që do të zbusi aciditetin e domates. Do ta bëjë më të ëmbël gatimin. Mund të shtoni edhe erëza të tjera si majdanozi dhe rigoni.
- E ndajmë brumin në 9 pjesë të vogla dhe me keto hapim 3 petë me nga 3 kuleçë, të cilët kyhen me pak vaj mes tyre.
- Ndezim furrën të ngrohet në 200 gradë.
- I shtrojmë petët në tavë furre të lyer me vaj, 2 petë poshtë, ne mes mbushja me domatet dhe qepët dhe një petë sipër. E spërkasim me vaj dhe rregullojmë anët duke i palosur bukur.
- E pjekim byrekun për rreth 30 minuta në furrë të ngrohur më parë në 200 gradë. E nxjerrim nga furra dhe mbulojme me letër alumini. E presim ne copa dhe e servirim të ngrohtë.
Ju bëftë mirë!