Role Mishi Të Mbushura Në Salcë është një pjatë e dytë shumë e shijshme për tu shijuar jo vetëm në përditshmëri por edhe për festa familjare.
Receta përgatitet lehtë, mjafton që të keni të gjithë përbërësit gati në tavolinë dhe do ju duhen vetëm pak minuta për të përgatitur recetën. Gatimi kryhet në tigan dhe nuk ju mundon fare.
Ne vazhdimisht kemi sjellë receta me role mishi pule, viçi, apo perimesh, pasi janë të shijshme dhe gjithashtu mund ti servirim bukur si në pjata individuale ashtu edhe në tavolina festash apo bankete.
Ju mund të provoni edhe Role Bifteku i Mbushur.
Përbërësit
- Mish viçi biftek në feta 7-8 copë
- Spinaq- 1 tufë e vogël
- Djath 7-8 feta
- Kripë e piper
- Vaj ulliri
- Verë e bardhë 1/2 gotë
- Gjethe dafine
Salca
- 1 Qepë
- 3 domate
- 1 karrotë
- 1 degë selino
- Kripë e piper, vaj ulliri
Përgatitja
- Si fillim do të përgatisim salcën e cila do të kërkojë kohën e vet.
- Grijmë me dorë hollë ose në një grirëse me korent qepën, karrotën dhe degën e selinosë dhe i kavërdisim me vaj ulliri derisa të zbuten. Ne nuk do të na duhet e gjithë sasia e salcës sepse do të përdorim vetëm disa lugë. Pjesën tjeter e kemi gati për gatime të tjera. Nëse doni të përgatisni një sasi të vogël, grijmë një sasi të vogël perimesh.
- Shtojmë edhe domaten e grirë dhe e gatuajmë për 15 minuta sa të shohim që u formua salca. E rregullojmë me kripë dhe e kemi gati.
- Ndërkohë i rrahim fetat e mishit të prera hollë dhe i marinojmë me kripë e piper.
- Do të vendosim sipër gjethe spinaqi të pastra, të thara nga uji dhe djath në feta ose të grirë.
- I mbështjellim role dhe i fiksojmë me kunja dhëmbësh.
- Në një tigan do të shtojmë 1 thelp hudhër dhe 1 gjethe dafine. Do e lëmë të ngrohet dhe shtojmë mishin.
- Roletë i kthejmë nga të gjitha anët të marrin faqe dhe i shuajmë me verën e bardhë.
- E lëmë të avullojë alkoli dhe e gatuajmë dhe disa minuta.
- Shtojmë disa lugë nga salca që përgatitem më parë. Dhe e lëmë në zjarr të ulët për 10 minuta të gatuhet. Mund të shtoni edhe pak ujë nqs e shikoni që është e thatë.
- E shërbejmë këtë gatim të ngrohtë dhe të shoqëruar me patate të shpejta të pergatitura ne tigan. Ju siguroj që shijon shumë.
Ju Bëftë Mirë!
Në Përmbyllje
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.
“As an Amazon Associate, I earn from qualifying purchases. Full disclosure.”