Gjellë më Qepë Të njoma dhe Erëza është një gatim i traditës së Elbasanit dhe quhet ndryshe gjellë pranvere pasi qepët e njoma janë një zarzavat që i kemi shijuar ndër vite në stinën e pranverës. Sot, në treg mund ti gjejmë edhe në stinë të ndryshme të vitit, ndaj dhe ne zgjedhim ta gatuajmë kur na pëlqen. Kjo recetë mund të gatuhet në përditshmëri dhe mund të serviret për çdo moshë, edhe për fëmijët e vegjël, duke eleminuar piperin.
Qepët e njoma të aromatizuara me erëza të freskëta kombinojnë më së miri me lëngun e mishit. Dikur këtë gjellë e gatuanin me mish qengji, por ne preferojmë ta gatuajmë edhe me mish viçi për një pjatë më të shëndetshme. Tradita e kërkon që të gatuhet me mish qengji, kështu që nëse e preferoni, mund ta provoni recetën me mish qengji duke respektuar të gjithë përbërësit e tjerë.
Përbërësit për 4 Persona
- 500 g mish viçi
- 250 g qepë të njoma
- Një tufë kopër
- Një tufë majdanoz
- Një tufë nenexhik ose mente
- 1 lugë çaji spec të kuq pluhur
- 1 lugë miell opsionale
- Kripë, piper
- 2 lugë vaj ulliri
- 1 lugë gjalp
Përgatitja
- Në fillim do të lajmë mishin mirë, të prerë në copa dhe do vendosim në një tenxhere me ujë të ftohtë dhe pak kripë, që të ziejë si duhet pasi koha e gatimit të qepëve të njoma është më e shkurtër.
- Ndërkohë do të lajmë dhe pastrojmë qepët e njoma dhe i presim imët me një thikë kuzhine.
- Në një tenxhere më pak vaj ulliri dhe gjalp, do të shtojmë qepët e grira dhe i kaurdisim me zjarr mesatar, me kapak mbuluar sa të zbuten. I shtojmë dhe pak nga lëngu i mishit që qepa të zbutet mirë. I shtojmë pak kripë dhe piper që të ruajnë ngjyrën.
- Nëse e preferoni gjellën dhe lëngun më të trashë mund ti shtoni një lugë miell pasi qepa është kaurdisur. Në këtë mënyrë do të përfitoni një lëng më të trashë. Nëse e preferoni gjellën vetëm me lëngun e mishit atëherë mos e shtoni miellin.
- Shtojmë mishin e zier te qepa dhe i kaurdisim edhe për pak minuta së bashku që të shijojnë njëra tjetrën.
- Do të shtojmë spec të kuq pluhur, i kaurdisim sa të përzihet në gjithë sasinë e qepës dhe mishit dhe në fund shtojmë edhe lëngun e mishit dhe i lëmë të ziejnë në zjarr të ngadaltë me kapak mbuluar për rreth 15-20 minuta.
- Ndërkohë do të lajmë, kullojmë dhe grijmë imët erëzat, të cilat i shtojmë në supë në 2 -3 minutat e fundit përpara se ta heqim supën nga zjarri.
- E shijojmë më kripë dhe pipër nëse ka nevojë dhe e shërbejmë të ngrohtë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe mbështesni duke shijuar dhe ndjekur faqen tonë dhe recetat tona. Jeni të mirëpritur të ndani, komnetoni apo lini pyetjet tuaja. Ne i vleresojmë ato dhe do ju përgjigjëmi shpejt.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.