Oktapod Në Lëng Me Patate Dhe Bizele është një pjatë e dytë me shije deti shumë e shijshme për tu shijuar në vjeshtë.
Ashtu si edhe Oktapodi Në salcë, kjo recetë është po aq e shijshmë. Në të njëtën kohë, receta është e pasur në vlera ushqyese pasi shtojmë edhe perimet në recetë për ta kthyer në një pjatë të pëlqyer nga të gjithë.
Mua gjithashtu më pëlqen ti shtoj edhe spec djegës por kjo është fakultative dhe në rast se keni fëmijë të vegjël, shtojeni specin djegës në pjatën personale.
Receta gatuhet thjesht dhe pothuaj kryhet puna vetë, pasi ndërkohë që ju shtroni tavolinën, oktapodi në lëng gatuhet ngadalë për një shije të përkryer.
Nëse nuk ju pëlqejnë bizelet mund të shtoni sasinë e patates.
Përbërësit
- 800 g ose 4-5 oktapod të vegjël
- 1 kokërr patate e madhe
- 100 g bizele
- 1 qepë e vogël e kuqe
- 300 g ose 2-3 kokrra domate pa lëkurë dhe fara
- ½ gotë verë e bardhë
- 1 thelp hudhër
- Spec djegës
- Kripë, piper, trumzë, majdanoz, vaj ulliri
Përgatitja
- Si fillim do të pastrojmë oktapodin duke hequr pjesën intensinale, dhe e lajmë në ujë të rrjedhshëm. Ju mund ti merrni të pastruar te dyqani juaj i peshkut.
- I presim në rripa dhe pjesë të vogla dhe i lëmë mënjanë.
- Qërojmë pataten, e presim në kubikë dhe e vendosim në një tas me ujë që të mos na oksidohen.
- Do të presim qepën imët në kubikë. Pastrojmë edhe domatet nga lëkura dhe fara dhe i presim kubikë. Mund të përdorni edhe domate pa lëkurë të konservuara.
- Në një tigan, do të shtojmë një thelp hudhër, specin djegës dhe qepën. Do i lëmë të aromatizojnë vajin dhe kur qepa fillon të zbutet shtojmë edhe oktapodin.
- Kur oktapodi merr një kaurdisje do e shuajmë me verën e bardhë.
- Sapo alkooli avullon do të shtojmë domatet në kubikë, kripë, piper, trumzë dhe pak vaj ulliri.
- Shtojmë edhe patatet e kulluara nga uji dhe bizelet, vendosim kapakun dhe do i gatuajmë të gjitha së bashku në temperaturë mesatare në të ulët për 20-25 minuta.
- Në fund i shijojmë sërish me kripë, piper, vaj ulliri dhe majdanoz të freskët.
- E servirim këtë pjatë të ngrohtë shoqëruar me bukë të thekur, apo brusketa të shijuara me pak hudhër, trumzë dhe vaj ulliri.
Ju Bëftë Mirë!
Në Përmbyllje
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.
“As an Amazon Associate, I earn from qualifying purchases. Full disclosure.”