Shrimp And Mussels Pasta-Makarona Me Karkaleca Dhe Midhje

Përshëndetje miq,

Sot dëshiroj të ndaj me ju një recetë shumë të shijshme me bazë prodhime deti, Makarona me Karkaleca dhe Midhje të Zeza.

Gatimi i makaronave është një nga kategoritë e gatimit në kuzhinë që konsiderohet i shpejtë, por njëkohësisht të ofron shumë variacion, duke kombinuar përbërës të ndryshëm për të arritur shije unike dhe delikate.
Pikërisht për larminë e shijeve dhe recetave që mund ti gatuajmë, ne i duam shumë në familje, dhe nuk mungojnë asnjëherë në fundjavat tona familjare. Dhe sekreti që ti duash, është të shijosh përherë receta të ndryshme, ku padyshim spikasin ato më të preferuarat për ne duke kombinuar edhe përbërësit sipas stinës kur i gatuajmë.
Kjo pjatë që do ndaj me ju sot, është verore dhe plot shije deti për një vakt gjatë fundjavave tuaja verore.

Përbërësit Për 5 Persona

  • 500 g spaghetti ose linguine
  • 300 g karkaleca të pastruar
  • 1 kg midhje të zeza me guaskë.
  • 7-8 domate qershi ose 3-4 kokrra domate mesatarevtë pjekura mirë.
  • 50-100 ml verë e bardhë
  • 2 thelpinj hudhër të qëruar
  • 1 tufë majdanoz i freskët
  • Vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper

PërgatitjaShrimp And Mussels Pasta-Family Cooking Recipes

  1. Së pari do të fillojmë me pastrimin e guaskave të midhjeve, duke shkëputur leshterikët dhe heqjen e gjithë papastërtive në pjesën e jashtme të guaskave me ndihmën e një thike, teli, apo furçe kuzhinë. Gjithashtu mund të përdorni kripë të trashë për ti pastruar, duke i futur bashkë kripën dhe midhjet në një qese, dhe tundim fort derisa të pastrohen. I shpëlajmë midhjet mirë në ujë të rrjedhshëm.
  2. Pastrojmë edhe karkalecat, duke hequr kokën, guallin, bishtin, dhe venën ranore. Nëse keni karkaleca të mëdhenj mund ti lini disa edhe me kokë, pasi lëshojnë lëng të shijshëm në salcën që do të përgatisim.
  3. Mbushim një tenxhere me ujë të vlojë për zierjen e makaronave.
  4. Lajmë domatet dhe i presim në mes nëse janë qershi të vogla ose në feta të holla ose kubikë nëse keni domate të një varieteti tjetër.
  5. Qërojmë hudhrën, lajmë majdanozin duke bërë gati të gjithë përbërësit për salcën.
  6. Në një tigan të madh shtojmë një fije vaj ulliri dhe midhjet e pastruara si më lart. Do të kryejmë proçesin e hapjes së guaskave dhe për 2-3 minuta, midhjet e hapura janë gati. I largojmë nga zjarri dhe i lëmë të ftohen pak.Black Mussels Recipe-Family Cooking Recipes
  7. Në një tigan për përgatitjen e salcës, shtojmë vaj ulliri dhe hudhrën dhe lëmë vajin të ngrohet dhe aromatizohet me shijen e hudhrës. Shtojmë karkalecat e pastruar dhe i kaurdisim 1-2 minuta derisa të marrin një ngjyrë të artë të lehtë. I shuajmë me pak verë të bardhë, dhe pasi të avullojë vera në temperaturë të lartë, i heqim dhe karkalecat nga tigani pasi nuk ka nevojë të gatuhen shumë, dhe do i shtojmë me vonë tek salca.
  8. Ndërkohë nëse uji është gati, shtojmë kripë, hedhim makaronat për të zierë, duke pasur parasysh që do ti lëmë 2-3 minuta më pak sesa kërkon koha e plotë e gatimit. Këtë kohë gatimi makaronat do e përfundojnë tek salca.
  9. Në të njëjtin tigan, ku kaurdisëm karkalecat, shtojmë pak vaj, dhe domatet e prera, i kaurdisim sa të shkrihen domatet dhe krijojnë një salcë. Shtojmë pak kripë dhe piper dhe lëng nga lëngu i midhjeve që hapëm pak më parë.
    Kini kujdes me kripën, pasi lëngu i midhjeve është i kripur, kështu që mos shtoni shumë kripë në salcën që po përgatisim, pa e provuar më parë.
  10. Ndërkohë pastrojmë midhjet e hapura nga guaska për ti shtuar në salcën tonë. Disa do ti lëmë me guaskë ashtu si janë. Midhjet që nuk janë hapur mos i përdorni për konsum.
    Shtojmë midhjet tek salca, i lëmë midhjet të ziejnë rreth 1 minutë bashkë me domaten, shtojmë edhe karkalecat e kaurdisur më parë, majdanoz të grirë imët, dhe salsa është gati.
  11. Marrim makaronat me një kapëse makaronash dhe i kalojmë nga tenxherja në tiganin e salcës që të përfundojnë aty gatimin dhe të marrin shijen e frutave të detit.
  12. Në fund shtojmë majdanoz të grirë, piper dhe vaj ulliri, të cilin rekomandoj që pjesën më të madhe të sasisë do e shtoni të pagatuar në pjatë në mënyrë që të merrni gjithë vlerat.Shrimp And Mussels Pasta-Family Cooking Recipes
  13. Shërbejini makaronat të ngrohta, duke i shoqëruar me sallata të stinës, gatime të tjera peshku dhe verë të bardhë.

Panvarësisht se konsiderohet një pjatë e parë, kjo është një recetë që shumë mirë mund të konsumohet si një pjatë kryesore për një vakt darke.
Ju bëftë mirë!Shrimp And Mussels Pasta-Family Cooking Recipes

Lutem lini komentet tuaja pasi ta provoni.

Faleminderit që vizitoni faqen tonë dhe na mbështesni duke ndarë recetat tona me miqtë tuaj.

Leave a Comment