Omleta me Kërpudha dhe Salçiçe është një pjatë unike për mëngjes apo darkë. Receta përgatitet thjesht dhe shpejt në tigan.
Ne e kemi përgatitur me përbërës të stinës, por ju mund të eksperimentoni duke përdorur çfarë ju ndodhet në frigorifer. Ashtu si dhe picat, tartat e kripura, krepat e kripur, edhe këto lloj omëletash janë një mënyrë shumë e shijshme për të pastruar frigoriferin.
Ju mund të provoni edhe Omletë me Lulelakër.
Përbërësit
- 6-7 Vezë
- Kripë e piper
- Vaj ulliri
- 2 salçiçe
- 3-4 kërpudha
- Një tufë e vogël spinaq
- 50 g djath i bardhë
- Qepë e njomë
Përgatitja
- Do të kavërdisim për pak minuta, me pak vaj ulliri salçiçen e prerë në feta. Vijojmë gatimin duke kavërdisur edhe kërpudhat e pastruara dhe prerë në feta të holla. I rregullojmë me pak kripë e piper.
- Spinaqin e lajmë dhe do e presim hollë.
- Do të hapim vezët një nga një në një tas të madh dhe do ti rrahim si për omletë. Shtojmë pak kripë e piper. Në të njëjtin tas do të shtojmë të gjithë përbërësit: salçiçet, kërpudhat, djathin e copëtuar dhe spinaqin.
- Të gjithë përzierjen do ta hedhim në një tigan të nxehur, ku kemi shtuar pak vaj ulliri. Sa të shohim që po nis të mpikset do ta ulim nxehtësinë në minimum dhe do ta mbulojmë me kapak.
- Do të kemi kujdes që fritata të mos digjet nga poshtë, kështu që me anë të një spatule e kontrollojmë.
- Kur të shikojmë që vetëm në sipërfaqe ka ngelur e butë atëherë do e kthejmë me ndihmën e një pjatë apo kapaku të sheshtë dhe me kujdes që të mos digjemi.
- Pra do ta kthejmë mbi kapak dhe do ta fusim përsëri në tigan për 1 minutë.
- E kthejmë në një pjatë servirje dhe e zbukurojmë me qepëza të njoma.
- E shërbejmë në copa dhe të ngrohtë. Ideale për mëngjese dhe darka të shpejta.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Në vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.