Kombinimi i Salmonit Me Brokoli është një nga më të pëlqyerët për mua dhe ashtu si këtë kombinim kaq të shijshëm e kemi provuar tek Pasta Me Salmon Dhe Broccoli po kaq e shijshme është edhe kjo recetë e Quiche Me Salmon Dhe Brokoli. Receta është e thjeshtë duke ndjekur të njëjtën mënyrë si kemi shpjeguar tek Quiche Me Spinaq dhe te Quiche Me Kërpudha. Përgatitja është në pak minuta duke përgatitur brumin e shpejtë brise me vaj, të cilin e hapim direkt dhe e vendosim në tavën e tartës duke e pjekur për 15 minuta ndërkohë që përgatisim dhe mbushjen.
Salmoni do të gatuhet në tigan për pak minuta dhe brokoli gjithashtu do të zihet ose gatuhet në avull për 4-5 minuta. Përgatisim dhe kremin që do shtojmë sipër tyre me vezë dhe pana.
Kjo është një nga recetat më të shijshme të Quiche që mund të keni provuar, e lehtë dhe plot vlera ushqimore. Mund ta servirim si një aperitivë, tartë e kripur në bankete, dreka apo darka familjare.
Përbërësit për një tavë tarte 22-24 cm
Për brumin
- 180 g miell
- 65 ml vaj ulliri
- 60 ml ujë i ftohtë
- Pak kripë
Mbushja
- 150 g fileto salmoni i freskët
- 70 g broccoli
- 2 vezë
- 200 ml pana kuzhine
- Kripë, piper, vaj ulliri, 1 thelp hudhër, majdanoz i freskët
- 60 g djath Guda
Përgatitja
- Do të përgatisim brumin duke përzierë shpejt miellin, kripën, vajin e ullirit sa të krijohet një kokërrizim dhe do të shtojmë ujin e ftohtë duke përzierë shpejt sa të na krijohet një brumë i butë.
- E punojmë pak dhe e hapim petë të cilën e vendosim në tavë, presim tepricat e brumit në borde dhe e shpojmë petën me pirun. E pjekim për 15 minuta në furrë të parangrohur 170 gradë duke vendosur një letër furre dhe fasule të thata sipër.
- Përgatisim mbushjen. Në një tigan do të shtojmë pak vaj ulliri, një thelp hudhër, dhe do të vendosim salmonin e freskët të larë, tharë me letër kuzhine dhe prerë në copa të vogla. Do e gatuajmë për disa minuta nga të dyja anët dhe e vendosim në një letër kuzhine të largojmë yndurën e tepërt.
- Ndërkohë vendosim dhe një tenxhere me ujë me kripë të vlojë dhe do te ziejmë brokolin të prerë në copa të vogla për rreth 4-5 minuta. Ose mund ta gatuajmë në avull.
- Në një tas, do të rrahim vezët me panën, shtojmë kripë, piper, dhe i përziejmë të gjitha mirë.
- Do të grijmë djathin me një renden, dhe do te presim majdanozin e freskët imët.
- Nxjerrim tavën nga furra, vendosim salmonin, shtojmë brokolin, mbulojmë sipërfaqen me majdanoz dhe djath të grirë.
- Do të shtojmë në fund kremin me vezë dhe pana dhe do e pjekim në furrë të parangrohur 170 gradë për 35-40 minuta sa të marri ngjyrë të artë në të kuqërremtë në sipërfaqe dhe bordet e tartës të shkëputen nga tava.
- E nxjerrim, e lëmë të ftohet pak, e vendosim në një pjatë servirjeje dhe e shërbejmë sipas dëshirës duke e prerë në copa të vakët ose në temperaturë ambienti.
Ju bëftë mirë!
Në Përmbyllje
Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të komnetoni, vlerësoni recetat, apo bëni pyetje rreth tyre duke na mbështetur të mirëmbajmë këtë faqe dhe ndajmë çdo ditë informacion të vlefshëm me ju.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.