Focaccia me Patate është një recetë e kuzhinës italiane, e cila shijon shumë për një vakt darke apo fundjavë në familje. Focaccia është e ngjashme me brumin e picës, por ndryshe nga picat duhet që brumi të bëjë dy procese të ardhjes përpara pjekjes.
Kjo lloj buke shijon shumë edhe kur gatuhet thjesht e aromatizuar me rozmarinë dhe kripë, por në këtë mënyrë me patate sipër del shumë e shijshme dhe është një gatim që e pëlqejnë të gjithë.
Focaccia është një lloj buke që mund të konsumohet edhe në temperaturë ambienti kështu që mund ta përdorni edhe për piknikët tuaj apo fundjava jashtë në natyrë.
Provoni edhe recetën tonë të picës së shtëpisë.
Përbërësit
Për brumin
- 300 g miell Manitoba, ose miell për Pizza
- 200 g miell 00
- 150 ml ujë u vakët
- 150 ml qumësht i vakët
- 45 ml vaj ulliri
- një lugë çaji kripë
- 1 lugë çaji sheqer
- 1 ½ lugë çaji maja birre e thatë (7 g)
Për sipër
- 400-450 g patate
- Kripë kokërrmadhe
- Rozmarinë
- 3-4 lugë vaj ulliri
- Disa Ullinj
Përgatitja
- Si fillim do të përgatisim brumin e Fokaçes. Në një tas do të përziejmë miellin me kripën dhe sheqerin. Në një tas tjetër përziejmë qumështin dhe ujin e vakët dhe tresim majanë në të.
- E shtojmë përzierjen e lëngët tek mielli dhe do të zëmë brumin. Në fund shtojmë edhe vajin pjesë pjesë duke e punuar dhe mbledhur brumin me duar.
- Pasi kemi një brumë të butë, do e mbulojmë dhe e lëmë brumin të vijë për 2-3 orë sa të dyfishojë volumin.
- Kur brumi të ketë ardhur do të marrim një tavë për pjekje (unë përdora tavën standarte të furrës), e lyejmë me vaj pa u kursyer dhe në të do të hapim brumin e fokaçes me duar.
- E mbulojmë sërish tavën dhe e lëmë brumin të vijë edhe njëherë për të paktën 30 minuta.
- Ndërkohë, do të qërojmë patatet dhe i presim në feta të holla rrethore me trashësi jo më shumë se 2 mm. Patatet i lëmë në një enë me ujë që të mos oksidohen.
- Do të aromatizojmë vajin e ullirit me degën e rozmarinës duke e ngrohur pak në temperaturë mesatare dhe e lëmë veçmas për disa minuta që të marri shijen e rozmarinës.
- Kur brumi të vijë sërish, do të kullojmë patatet mirë dhe do i marinojmë me vajin e aromatizuar, për pak minuta.
- Në brumin e fokaçes do të formojmë gropëza të vogla me gishtat tanë dhe do të vendosim patatet radhë radhë. Do të shtojmë kripë kokërr madhe, rozmarinë, disa ullinj nëse dëshironi dhe vajin e ullirit të aromatizuar sipër.
- Do e pjekim në furrë të nxehur më parë në 200 gradë për 20-25 minuta.
- E nxjerrim nga furra, e lëmë të ftohet pak, e presim në copa dhe e shërbejmë sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Në Përmbyllje
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.