Pispilia është një gatim i traditës shqiptare, që ka për ingredient kryesor miellin e misrit. Ai kombinohet me lakërishte ose perime të gjelbërta, të cilat i japin një identitet të veҫantë dhe shije delikate miellit të misrit duke krijuar një shije unike. Sot do të ndajmë recetën e Pispilisë me Miell Misri dhe Spinaq. Mënyrat e përgatitjes së pispilisë janë disa. Ne sot do të sjellim pispilinë me bazë petën e misrit, si e përgatisim në Përmet.
Përbërësit për një tavë normale
Për petën e misrit
- 300 gram miell misri
- 600 ml ujë
- Pak kripë dhe pak vaj ulliri
Për mbushjen
- 500 gram spinaq i pastruar
- 2 qepë të njoma
- 100 g djath
- Kripë e piper
- Nenexhik i njomë, majdanoz( erëza të freskëta)
- Vaj ulliri 3-4 lugë
Përgatitja
- Lajmë spinaqin dhe e grijmë. Grijmë qepën dhe e skuqim në një tigan të madh sa të zbutet.
Shtojmë spinaqin, pak kripë dhe e lëmë të zbutet për pak minuta. I shtojmë erëzat dhe e lëmë të ftohet. Shtojme djathin e thërmuar dhe 1 vezë. Nëse e dëshironi pa vezë mos e shtoni.
- Në një tenxhere hedhim ujin dhe e lëmë të vlojë, i hedhim pak kripë dhe 2 lugë vaj ulliri.
- Në momentin që vlon hedhim të gjithë miellin e misrit dhe e përziejmë menjëherë. Do të na krijohet një masë brumi, të cilin e hapim në tavë qelqi të lyer me vaj, në 1 petë me trashësi 1 cm.
- Sigurojmë që brumi të mbulojë dhe muret e tavës, duke krijuar një bordur 3 cm të lartë. Hedhim spinaqin e përgatitur më parë sipër petës.
- Përgatitjen e mbulojme me 1 shtresë të hollë miell misri që e lagim me disa luge ujë. I hedhim dhe vak vaj ulliri dhe e fusim në furre të ngrohur më parë 200 gradë për rreth 40 min, derisa bordet të fillojnë të veҫohen dhe pispilia të krijojë një kore të kuqërremtë sipër.
Ju bëftë mirë!
Nëse dëshironi na shkruani për detaje ose ndajeni këtë recetë të traditës me miqtë tuaj.
Faleminderit që na zgjodhët sërisht.