Ne kemi sjellë vazhdimisht receta me oktapod për ju në faqen tonë dhe sot do të sjellim këtë recetë të Oktapodit Të Ngrohtë Me Patate, një pjatë e parë apo antipastë shumë e shijshme për tu servirur në një vakt me menu peshku apo produkte deti. Kjo është një recetë shumë delikate dhe e shijshme për stinën e ftohtë. Marinimi i patates dhe oktapodit me specin djegës dhe përbërësit e tjerë e bëjnë këtë pjatë shumë të dashur për të gjithë ata që dëshirojnë shijet pikante dhe jo vetëm. Mund ta konsumojmë në një vakt, por edhe si aperitivë për të shoqëruar një gotë verë në familje apo me miq. Receta përgatitet shumë thjesht dhe shpejt, një gatim për rreth 20 minuta në tigan, pasi oktapodin e kemi gatuar dhe marinuar më parë si dhe kemi shpjeguar në recetën e Sallatës së Oktapodit Me Patate.
Përbërësit
- ½ e Oktapodit të gatuar
- 2 patate mesatare
- 2 thelp hudhër
- spec djegës
- 1/2 qepë e vogël
- 300 ml salcë domatesh.
- Majdanoz i freskët
- kripë, piper i zi
Përgatitja
- Oktapodin që e kemi zierë më parë, e presim në copa dhe e lëmë veç.
- Nisim me përgatitjen e recetës duke shtuar në një tigan që nuk ngjit vaj ulliri, hudhër edhe spec djegës të grirë imët.
- Sa të aromatizohet vaji dhe shtojmë edhe qepën e grirë gjithashtu hollë. E kavërdisim sa të na zbutet.
- Do të shtojmë edhe patatet e prera në kubik . Shtojmë edhe oktapodin e gatuar më parë dhe e përziejmë të gjithë masën.
- I shtojmë 300 ml salcë domatesh dhe e lëmë të kaurdiset pak salca për 2-3 minuta.
- Do të shtojmë 2 gota ujë dhe e gatuajmë në zjarr të ngadaltë derisa të zbutet patatja dhe të ngelet e gatuar në salcën e vet. Koha e nevojshme e gatimit është rreth 15-20 minuta.
- Në përfundim, shtojme erëzat, piperin dhe e rregullojmë me kripë. E servirim të ngrohtë për ta shijuar si antipastë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe mbështesni me komentet, pyetjet apo sygjerimet tuaja.
Jeni të mirëpritur të ndani me ne opinionin tuaj. Ne e vlerësojmë atë.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.