Tagliatelle Të Freskëta Shtëpie është një pjatë shumë e thjeshtë dhe shumë e shijshme që ju inkurajojmë ta provoni në shtëpinë tuaja.
Përgatitja e pastave të freskëta në shtëpi nuk është fare e vështirë, dhe në dhjetra mënyra mund të kënaqim familjen tonë më pjata të shpejta, dhe mbi të gjitha të gatuara me përbërës të shëndetshëm që mund ti zgjedhim vetë.
Në këtë recetë këmi përdorur spinaqin për të përgatitur brumin e pastave, duke i dhënë njëkohësisht shijen dhe ngjyrën, për një pjatë ndryshe dhe për ta shijuar në drekë apo darkat tona.
Idealja është të kemi një makinë për hapjen e brumit për pastat, por edhe pa makineri mund ti përgatisni fare lehtë nëse ndiqni udhëzimet tona. Jam e sigurt se shumica prej jush përgatisin me lehtësi byrek dhe hapni petë, ndaj dhe hapja e petës së pastës nuk do jetë e veshtirë dhe prerja aq më tepër për ti dhënë formë tagliatelleve tona. Shijimi dhe salca mund të jetë sipas preferencës. Ne ju kemi dhënë këtu dy ide shumë të shpejta, të thjeshta, me pak përbërës, dhe mbi të gjitha të shijshme.
Ju mund të provoni edhe Tagliatelle të freskëta me salcë bolonjeze.
Përbërësit
Për brumin
- 400 g miell
- 3 vezë
- 70 g spinaq i zierë
- Pak kripë
Për salcën Nr.1
- 300 g domate të vogla
- Kripë e piper, vaj ulliri, hudhër, borzilok.
Për Salcën Nr.2
- Gjalp i freskët dhe djath grana i grirë.
- Kripë e piper, vaj ulliri
Përgatitja
- Do të përgatisim brumin. Në fillim do të përgatisim spinaqin duke zgjedhur vetëm gjethet. Do ti zjejmë për 2 minuta në ujë me kripë që vlon dhe do ti kullojmë mirë nga uji.
- Me një mikser apo grirëse kuzhine me korent do ti bëjmë pure në mënyrë që të na përhapet më mirë në brum masa e përgatitur e spinaqit.
- Në një tas të thellë do të shtojmë miellin dhe vezët. Do të shtojmë dhe purenë e spinaqit. Do të zëmë brumin me këto përbërës pa shtuar ujë apo lëngje të tjera.
- E lëmë brumin të pushojë për 30 minuta dhe me ndihmën e një rruli kuzhine dhe pak miell do ta hapim në një petë të madhe dhe jo shumë të hollë.
- Do ta lëmë petën të thahet pak të mbuluar me një mbulesë buke. E palosim dhe e presim në feta me trashësinë 5-7 mm, por edhe po nuk ishit kaq të sakta nuk ka problem, sepse është pasta e gatuar në mënyrë artizanale, e cila ka bukurinë e vetë dhe mbi të gjitha është super e shijshme. Nëse keni makineri atëherë përdorni makinën e makaronave për një prerje sa më të saktë dhe esketike.
- Pasi i kemi gati tagliatellet tona dhe salcën gjithashtu, atëherë mund ti zjejmë ato në ujë të vluar me kripë. Do të zjejnë shpjejt për rreth dy minuta pasi janë të freskëta.
- Përsa i përket salcës, mund të zgjidhni ta përgatisni gjatë kohës që pushon brumi nëse kërkon shumë kohë, ose në moment paralel me zierjen e pastës, nëse do përdorni sugjerimet tona, të cilat janë të shijshme dhe të shpejta. Ne ju kemi dhënë dy ide të shpejta të cilat përgatiten në pak minuta.
Përgatitja e Salcave
- Për salcën e parë, në një tigan do të shtojmë vaj ulliri, një thelp hudhër dhe gjethe borziloku që vaji të aromatizohet me to. Ndërkohë do shtojmë edhe domatet e vogla të prera në mes dhe do i kalojmë në vajin e ullirit të gatuhen për pak minuta sa të fillojnë të zbuten dhe të lëshojnë lëngun e tyre. Ndërkohë paralel ziejmë edhe tagliatellet dhe direkt nga tenxherja e zierjes me ndihmën e një kullese i kalojmë në tiganin e salcës. Do të shtojmë pak ujë nga zierja dhe i lëmë të marrin shije për një minutë. I shërbejmë me djath grana të grirë dhe borzilok të freskët.
- Ju mund ti shijoni edhe të thjeshta, referuar sugjerimit tonë të dytë, duke i shijuar makaronat e freskëta me gjalp të aromatizuar me borzilok dhe shijuar me kripë, piper dhe djath të grirë. Kuzhina e thjeshtë por shumë e shijshme.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment, pyetje, apo ndani me miqtë tuaj këtë recetë.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.