Kallamarë të mbushur është një recetë që nuk duhet të mungojë në tavolinat tona gjatë stinës së verës. Kjo pjatë është një aperitiv, antipastë, pjatë e parë, apo shoqëruese shumë e shijshme, në një drekë ose darkë me prodhime deti.
E thjeshtë për tu përgatitur dhe gati për tu shijuar në pak minuta. Ajo që zë më tepër kohë në këtë recetë është pjesa përgatitore dhe pastrimi i kallamarëve pasi gatimi është shumë i shpejtë.
Përbërësit
- 600 g kallamarë
- 1 tufë majdanoz
- Kripë, piper, rigon i thatë
- 2 feta buke
- 1/2 gotë verë e bardhë
- Hudhër, spec djegës
- Vaj ulliri
Përgatitja
Pastrimi i Kallamarëve
Si më lart theksova, kjo është një recetë e thjeshtë, e cila e ka vështirësinë vetëm te pastrimi i kallamarëve. Me do ju përshkruajmë me detaje hapat e pastrimit të kallamari.
I pastrojmë kallamarët e freskët duke shkëputur trupin nga koka. Duhet ta ruajmë të pa dëmtuar trupin që ta mund ta mbushim. Kallamari ka dhe një kockë trasparente, e cila hiqet duke e tërhequr shumë kollaj. Pastrojmë pjesën e brendshme komplet dhe e lajmë me ujë të rrjedhshëm. E pastrojmë kallamarin dhe nga pjesa e sipërme që ka 2 velëzat dhe një cipë të hollë që hiqet shumë kollaj. Do të na dali kallamari i bardhë dhe i lëmuar. Do të ruajmë edhe pjesën e tentakulave duke e shkëputur nga sytë dhe poshtë. Heqim pjesën e gojës me një thikë ose gërshërë kuzhine. E lajmë me ujë të rrjedhshëm. Mund ti blini kallamarët të pastruar edhe te dyqani i peshkut, vetëm cilësojeni që i doni për mbushje që mos ta çajnë me thikë pjesën e trupit, që është pjesa që do mbushet.
Përgatitja e mbushjes së kallamarëve.
- Në një tigan, hedhim hudhër të grirë, vaj ulliri, dhe spec djeges sipas dëshirës.
- I presim në pjesë të vogla këmbët e kallamarëve dhe i gatuajme për 2-3 minuta në zjarr mesatar.
- E shuajmë me pak verë të bardhë.
- Shtojmë erëzat dhe bukën e thërrmuar, kripë e piper. I mbushim kallamarët me një lugë të vogël dhe i mbyllim me anë të një kruajtëse dhëmbësh.
- Në një tigan, shtojmë 2 lugë vaj dhe 1 thelb hudhër dhe i kalojmë kallamarët e mbushur aty për 5 minuta. I shuajmë me verë të bardhë dhe ngremë temperaturën për 1 minutë sa të avullojë vera.
- I servirim kallamarët e mbushur mënjëherë. I shoqërojmë me sallatë të freskët barishtesh jeshile të përziera, si dhe me gatime të tjera me produkte deti.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit për suportin tuaj duke ndarë recetën. Ju ftojmë të lini komentet tuaja nëse do e provoni.
Irinda