Rugelach, apo Biskota Role Me Arra është një ëmbëlsirë e mbushur e traditës së komunitetit Jude të Polonisë, e cila përgatitet në formë roleje e ngjashme me strudelin apo me kruasantët dhe serviret si biskota të mbushura shumë të shijshme. Brumi përgatitet me krem djathi apo pana, ndërsa ne në recetën e sotme e kemi kombinuar edhe me gjalpin dhe vezë për një brumë më të shkrifët. Mbushja përgatitet në disa mënyra duke kombinuar reçelin tuaj të preferuar me fruta të thata si arra, rrush të thatë, por ju mund ta mbushni këtë ëmbëlsirë si tu pëlqejë duke përdorur edhe çokollatë, apo krem lajthish, çokollatë, etj. Në mbushjen e sotme kemi përdorur përveç arrave edhe lajthi dhe bajame. Mbushja gjithashtu aromatizohet me kanellë, e cila shkon më së miri në këtë ëmbëlsirë dhe e bën edhe më të dashur për tu shijuar për festa. Pudrosja me sheqer pluhur është opsionale, por padyshim që e bën këtë ëmbëlsirë edhe më të dashur, sidomos për fëmijët. Përgatitja e brumit me krem djathi dhe sasia e moreruar e sheqerit bën që të jëtë një ëmbëlsirë e këndshme dhe e lehtë për tu konsumuar. Ëmbëlsia që ofron mbushja kombinon më së miri me brumin dhe në fund kemi një shijë unike delikate dhe shumë të veçantë. Mund ta konsumojmë këtë ëmbëlsirë kurdoherë që duam gjatë ditës, duke filluar nga mëngjesi shoqëruar me pijen tuaj të preferuar të mëngjesit, kafe, çaj, qumësht, lëng frutash, etj, por edhe gjatë vakteve, në përfundim të tyre, apo si një snak gjatë ditës. E dashur për fëmijët dhe gjithë familjen, ku prezenca e frutave të thata dhe krokanteca e tyre gjatë ngrënies e bëjnë këtë ëmbëlsirë edhe më të dashur. Ndiqni më poshtë përgatitjen dhe përbërësit.
Përbërësit
Për brumin
- 330 g miell 00
- 170 g krem djath i ftohtë në copa
- 130 g gjalp i ftohtë në copa
- 1 vezë
- Pak kripë
- 3 lugë sheqer
- 1 lugë çaji fryrës për ëmbëlsir
- Lëkurë limoni ose vanilje
Për mbushjen
- 150 g reçel pjeshke
- 150 g reçel kumbulle
- 100 g rrush të thatë
- 60 g arra
- 60 g lajthi
- 60 g bajame
- 1 lugë kanellë
- 2-3 lugë sheqer kaf
- Një e verdhë veze me qumësht për lyerjen e brumit para pjekjes
- Sheqer pluhur për pudrosje dhe dekor
Përgatitja
- Si fillim do të përgatisim brumin për ëmbëlsirën tonë.
Në një tas të thellë do të përziejmë miellin me sheqerin, kripën, fryrësin, lëkurën e limonit ose vaniljen dhe gjalpin e ftohtë nga frigoriferi në copa. I përziejmë mirë sa të krijojë mielli një kokërrizim, dhe më pas do të shtojmë edhe djathin në copa. Do të përziejmë sërish duke punuar lehtë brumin që brumi mos të lëshohet shumë. Në fund shtojmë edhe vezën dhe përziejmë duke arritur një brumë të butë, por jo ngjitës. Brumi del më i butë se brumi Frolla pasi kremi shtuar edhe krem djathi. - Ndajmë brumin në dy pjesë dhe e mbështjellim në formë disku sa dora, ose edhe në formë topi me qese celofoni dhe e vendosim në frigorifer të pushojë për të paktën 30 minuta. Mund ta përgatisim edhe një natë përpara nëse nuk keni shumë kohë të nesërmen.
- Ndërkohë që brumi pushon do të përgatisim mbushjen. Në një tas të thellë përziejmë të gjitha ftutat e thata, ku arrat, bajamet dhe lajthitë i kemi grirë më parë, por jo shumë imët. Mund ti grini në një grirëse kuzhine, po mos i bëni fare miell. Do të shtojmë dhe sheqerin kaf dhe kanellën dhe i përziejmë të gjitha. Bëjmë edhe reçelin gati në dy tasa, nëse doni mund të përdorni vetëm një lloj reçeli, ose krem lajthie.
- Do të hapim brumin në formë drejtëkëndore duke përdorur pak miell dhe për një mbledhje më të lehtë në role do e vendosim në një letër pjekje. E hapim petën në masën që duhet duke synuar mesatarisht një trashësi rreth 0.5 mm.
- Do e lyejmë petën fillimisht me reçel dhe më pas do shpërndajmë gjyshmën e sasisë së mbushjes së përgatitur me fruta të thata. Do e mbledhim role dhe më pas do e rivendosim në frigorifer të pushojë për 20-30 minuta që brumi të forcohet dhe ne të kemi mundësi ta presim në copa pjesërisht përpara se ta pjekim. E quaj pjesërisht, pasi rolenë do e ndajmë në pjesë me thashësi 2-3 cm por pa e bërë prerjen deri në fund. Në këtë mënyrë pjekja do bëhet si duhet dhe do e kemi me të lehtë ta presim rolenë në copa pasi të piqet. Mos i prisni më të holla biskotat pasi mund të thërrmohen gjatë pjekjes.
- Pasi e nxjerrim nga frigoriferi do e presim si shpjegova me lart duke mos e kryer prerjen deri në fund.
- Do e lyejmë sipërfaqen e rolesë me përzierjen e një të verdhe veze me qumësht dhe do e vendosim të piqet në furrë të pahangrohur në 180 gradë për 20-25 minuta sa të marri ngjyrë të artë të kuqërremtë.
- Pasi piqet do e lëmë fillimisht të ftohet pak, do e presim rolenë duke mos e lëvizur nga tava deri sa të ftohet plotësisht. E spërkasim me sheqer pluhur. Pasi është ftohur, e servirim dhe spërkasim sërish me sheqer pluhur dhe e shërbejmë si ëmbëlsirë gjatë një vakti apo edhe pas tij, apo në çdo orë të ditës që ju preferoni diçka të ëmbël.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona. Ne vlerësojmë opinion tuaj, ndaj jeni të mirëpritur të lini si më poshtë komentet apo pyetjet tuaja.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.