Kjo recetë e Kekut me Dardhë dhe Kakao është e lehtë, me pak përbërës që na gjenden përherë në shtëpi dhe mbi të gjitha shumë e shijshme. Jemi në stinën e verës dhe dardhët mund ti gjejmë të freskëta dhe të pjekura mirë, plot aromë dhe shije. Për të gjithë adhuruesit e çokollatës, ju siguroj se kjo recetë është po aq e shijshme sa keku me dardhë dhe çokollatë dhe më e lehtë përsa i përket vlerave kalorike. Gatimi me fruta të freskëta e bën edhe më të shëndetshëm.
Përbërësit për një tavë keku me diametër 24 cm
- 260 g miell 00
- 180 g sheqer
- 3 vezë
- 95 ml vaj misri
- 120 ml qumësht
- 40 g Kakao e hidhur
- 1 pako fryrës ëmbëlsirash
- 400 g dardhë
- Pak kripë
- 1 limon
Përbërësit për një tavë keku me diametër 18-20 cm
- 175 g miell
- 2 vezë
- 120 g sheqer
- 65 ml vaj
- 80 ml qumësht
- 25 g Kakao e hidhur
- 12 g fryrës ëmbëlsirash
- 270 g dardhë
- 1 limon
Përgatitja
Për këtë ëmbëlsirë dardhët duhet të jenë të pjekura, ne do i përdorim në brendësi të kekut, por ju në varësi të tavës që do të përdorni mund të zgjidhni të lini një pjesë edhe për ti vendosur në sipërfaqe përpara pjekjes.
- Ndezim furrën të ngrohet në 180 gradë.
- Dardhët pastrohen nga lëkurat, pjesa e farave dhe priten në kubikë. Nëse doni ti vendosni në sipërfaqe, do ti presim në feta të holla. Do i marinojmë me lëngun e limonit që të mos oksidohen. Nëse doni të evitoni marinimin, do i përgatisni dardhët të fundit në proçes për ti shtuar direkt te brumi i kekut.
- Në një tas të thellë qelqi, hedhim vezët dhe sheqerin dhe i rrahim me rrahës vezësh me korent për disa minuta derisa sheqeri të tretet.
- Shtojmë vajin nga pak duke vazhduar përzierjen derisa të krijohet një masë homogjene. Shtojmë lëkurën e limonit të grirë me rende, përpara se ta shtrydhim, dhe më pas miellin e situr. Nëse nuk ju pëlqen limoni, mund të përdorni edhe vanilje me këtë recetë.
- Kur mielli të jetë përzierë plotësisht, do të shtojmë qumështin. Vazhdojmë përzierjen dhe do të krijohet një brumë i butë dhe jo shumë i trashë, do të shtojmë kakaon e situr, fryrësin e ëmbëlsirave dhe në fund dardhët.
- Lyejmë tavën me pak gjalp ose vaj, e pudrosim me miell dhe hedhim brumin e përgatitur. Nëse dëshironi një pjesë të dardhëve ti vendosni në sipërfaqe, ky është momenti.
- Vendosim kekun të piqet për 40-45 minuta në furrën e ngrohur më parë, në 180 gradë.
- Përpara se ta heqim nga furra, bëjmë provën me kunj dhëmbësh.
- E lëmë pak të ftohet, e heqim nga tava dhe e pudrosim me sheqer pluhur nëse ju pëlqen.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit për mbështetjen tuaj duke komentuar apo ndarë recetën.