Reçel Kumbulle është një nga llojet e reçelit që nuk duhet të mungojë në raftet e kuzhinës suaj, dhe kur bëhet në shtëpi është më i miri. Ky reçel përgatitet me tre përbërës, kumbulla, sheqer dhe limon.
Unë nuk përdor ujë të shtuar në reçelet apo marmalatat e mia. Mjaftojnë këto përbërës dhe aromat që ju pëlqejnë si kanellë apo vanilje për shije unike.
Tani është fiks koha kur kumbullat i gjejmë, të pjekura mirë, të ëmbëla për të përgatitur një reçel apo marmalatë plot shije dhe me sheqer në sasi të moderuara nëse duam.
Puna përgatitore për gatimin e reçelit nuk merr shumë kohë. Mjafton ti lajmë kumbullat mirë, i kullojmë nga uji i tepërt dhe i ndajmë në mes duke ju hequr bërthamën.
Ju mund të provoni edhe reçelin e dardhës, reçelin e fikut apo reçelin e pjeshkës, që gjithashtu mund ta përgatisni me fruta të freskëta në këtë periudhë.
Përbërësit
- 1 kg kumbulla blu apo të kuqe (pesha neto pa bërthamë)
- 500 g sheqer
- Lëngu dhe lëkura e një limoni
- Kanellë (opsionale)
Përgatitja
- Kumbullat e pastruara i presim në copa dhe i vendosim në një tenxhere të hapur që nuk ngjit.
- Shtojmë lëkurën dhe lëngun e limonit dhe i vendosim në zjarr të ziejnë për 5 minuta derisa të lëngështohen.
- Shtojmë edhe sheqerin dhe do i ziejmë në temperaturë mesatare duke e përzierë herë pas here. Nëse dëshironi mund të shtoni edhe një shkop kanellë.
- Do ta ziejmë derisa të shikojmë që reçeli të marri trashësinë e duhur. Mund ta lëmë në këtë formë, ose edhe mund ta frulojmë për të përfituar një reçel si ai që blini në dyqan.
- Gjatë kohës që kemi zierë reçelin kemi sterilizuar mirë edhe kavanozat duke i zierë në uji ose në temperaturë të lartë në furrë. Do të shtojmë reçelin ende të nxehtë në to. I mbyllim deri në grykë duke lënë disa milimetra bosh.
- Do të mbyllim kapakët mirë dhe do i vendosim kavanozat kokëposhtë derisa të ftohen plotësisht.
- Kur i kthejmë sërish do të kontrollojmë tapën me gisht. Duhet që tapa të mos bëjë klik dhe tapa të ketë formë të sheshtë.
- Si çdo reçel mund ta shijojmë pas 24 orësh, ndërkohë vazot e mbyllura i ruajmë në vend të errët dhe ta thatë. Pas hapjes kavanozat i ruajmë në frigorifer për ti konsumuar brenda disa ditësh.
Ju Bëftë Mirë!