Roletë më Kanellë janë një ëmbëlsirë ideale për këto ditë kaq të ftohta. Kjo recetë është e thjeshtë për tu përgatitur, dhe mund ta shijojmë për çdo vakt të ditës. E shijshme për gjithë familjen dhe me pak përbërës që të gjithë i kemi në kuzhinat tona. Pasi ta provoni do të shikoni se do ta pëlqeni këtë recetë dhe do e gatuani sa më shpesh për të shoqëruar çajin apo kafenë tuaj në ditët e ftohta të dimrit apo edhe për fëmijët tuaj qoftë për mëngjes apo si ëmbëlsirë gjatë ditës.
Duke qenë se është një recetë me brumë të ardhur, mund edhe ti përgatisim një ditë përpara dhe i vendosim në frigorifer të sistemuara në një tavë të mbuluara me një qese plastike. Në mëngjes i nxjerrim 1 ose 2 orë përpara se ti pjekim dhe i lëmë në një vend të ngrohtë që të vijë brumi. Kështu do të kemi mundësi që të gjithë në familje të shijojmë këtë recetë shumë të shijshme pa u dashur të ngrihemi herët në mëngjes për përgatitjen e saj. Do ju duket sikur dikush tjetër e ka përgatitur mëngjesin për ju. Ashtu si biskotat me arra apo kek të ndryshëm, edhe këto role do hyjnë në menunë tuaj duke u bërë një nga recetat e preferuara të mëngjesit tuaj.
Përbërësit
- 450 g miell 00
- 250 ml qumësht i vakët
- 1 pako maja birre
- 4 lugë gjelle sheqer
- 1 lugë gjalp i shkrirë
- Pak kripë
- 1 vezë
Për mbushjen
- 90 g gjalp në temperaturë ambienti
- 2 lugë kanellë
- 4 lugë sheqer
Kremi
- 60 g Gjalp
- 100 g Krem djathi
- 100 g Sheqer pluhur
Përgatitja
- Në një tas të madh hedhim qumështin e ngrohtë dhe në të tresim majanë.
- Shtojmë sheqerin, gjalpin e shkrirë dhe vezën. I përziejmë mirë dhe në të do të shtojmë gradualisht miellin dhe do ta përziejmë me një lugë.
- Brumi do të jetë ngjitës, ndaj për këtë arsye mund të shtojmë nga 1 lugë miell dhe ta përziejmë duke e punuar për 2 -3 minuta. Brumi në përfundim duhet të jetë i butë.
- E mbulojmë me qese dhe e lëmë të dyfishojë volumin për 30 minuta deri 1 orë, në furrën të cilën e kemi ngrohur pak më parë, ose në furrë me dritë ndezur.
- Brumin e ardhur e hapim me rrul kuzhine në një tavolinë punë të spërkatur me miell lart dhe poshtë. E hapim brumin në një petë drejktëkëndore me përmasa 45 cm me 25 cm.
- Në sipërfaqe e lyejmë petën e hapur me gjalpin e zbutur duke e hapur njëtrajtësisht në gjithë sipërfaqen e saj.
- Do të përziejmë sheqerin me kanellën pluhur dhe do ta mbulojmë më këtë përzierje të gjithë sipërfaqen e brumit.
- Do ta mbledhim brumin role dhe do ta presim rolenë duke e ndarë në 2 pjesë pastaj në katër. Secila nga këto pjesë do të ndahet në katër pjesë më të vogla, të cilat do ti vendodim në një tavë të lyer me gjalp, në largësi nga njëra-tjetra.
- Do i lëmë roletë edhe 1 herë të vijnë për 20 -30 minuta. I lyejmë sipër me gjalp të shkrirë.
- E vendosim tavën me roletë në furrë të parangrohur në 180 gradë dhe i pjekim për 25-30 minuta sa te marrin ngjyrë të kuqërremtë sipër.
- I heqim nga furra, i lëmë të ftohen pak për 15 minuta dhe përgatisim kremin.
- Përziejmë me ndihmen e një rrahësi me korent gjalpin dhe kremin e djathit.
- Shtojmë edhe sheqerin pluhur dhe e përziejmë derisa të na krijohet një krem i fryrë.
- Ja hedhim sipër roleve që janë akoma të ngrohta. Ngrohtësia e tyre do të bëj që kremi të hyjë në brendësi të roleve dhe t’ju japi një shije të veçantë.
- I shërbejmë roletë me kanellë sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të ndani këtë recetë, komentoni apo lini pyetjet tuaja. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.