Easy Black Forest Cake-Një Tortë Qershish Për Çdo Stinë

Torta Black Forest është një ëmbëlsirë shumë e shijshme dhe shumë e lehtë për tu përgatitur. Jemi në stinën e qershive dhe pikërisht në këtë sezon kjo ëmbëlsirë ka edhe me tepër shije. Kjo recetë i përket kuzhinës gjermane, dhe mendohet që emrin e ka pikërisht nga pylli Black Forest. Torta përgatitet me pandispanjë me çokollatë, qershi dhe krem Chantilly.

Gjithashtu kombinimi i këtyre tre ngjyrave ngjasojnë edhe me veshjet e grave të zonës së Pyllit të Zi. Në recetën origjinale përdoret edhe pija tradicionale alkolike Kirschwasser, e cila përgatitet nga fruti i qershisë.

Torta dekorohet me të njëjtin krem që përdoret për mbushjen midis shtresave dhe me qershi të freskëta apo qershi të konservuara në shurup Maraschino apo edhe komposto.

Torta ëshë e lehtë në shije dhe mund të shërbehet për një festë ditëlindje, drekë në familje, etj.

Easy Black Forest Cake-Family Cooking Recipes

Përbërësit

Për pandispanjën 20-22 cm

  • 4 vezë të frekëta
  • 120 g sheqer
  • 50 g kakao
  • 90 g miell

Për kremin dhe dekorin

  • 500 ml pana për ëmbëlsira
  • 250 g marcarpone
  • 2-3 lugë sheqer pluhur
  • 300-400 g qershi të freskëta pa bërthamë
  • Një gotë lëng qershie
  • 50 ml Kirschwasser
  • Disa qershi të freskëta me gjithë bishta për dekor
  • 150-200 g çokollatë e zezë

Përgatitja

Pandispanja

Për përgatitjen e pandispanjës me kakao ju mund ta gjeni edhe te detajuar recetën këtu.

  1. Si fillim në një tas të thellë me ndihmën e një rrahësi elektrik do të rrahim vezët me sheqerin për 8-10 minuta sa të bëhen shkumë dhe të 3-4 fishojnë volumin e tyre.
  2. Do të shtojmë miellin e situr të përzierë më kakaon duke e përzierë gradualisht nga poshtë lart sa të bëhet një brumë homogjen por pa na rënë volumi.
  3. Masën e hedhim në formën që kemi përgatitur për pjekje me letër furre dhe anët të lyera me gjalp dhe pudrosura me miell.
  4. E vendosim të piqet në furrë të parangrohur në 180 gradë për 30 minuta. Nuk e hapim furrën gjatë pjekjes që të mos bjerë volumi.
  5. Sapo pandispanja piqet, e lëmë të ftohet dhe përgatisim përbërësit e tjerë për montimin e tortës. Pasi ftohet pandispanja e presim në 3 pjesë dhe e kemi gati për montimin e tortës sonë.

Përgatitja e Qershive

  1. Qershitë e pastruara do i vendosim në një tigan me dy lugë sheqer dhe i vendosim në zjarr të ulët sa të fillojnë dhe lëngëzohen pak për të përftuar lëngun e qershive.
  2. Do i kullojmë qershitë nga lëngu dhe i mbajmë mënjanë për ti përdorur në montimin e tortës.
  3. Lëngun e qershive do e përziejmë me pijen Kirschwasser, ose nëse nuk doni të përdorni alkol, mund ta shtojmë me komposto apo lëng të freskët qershie.

Përgatitja e Kremit.

  1. Si fillim rrahim kremin mascarpone me dy lugë sheqer sa të bëhen një masë homogjene. Nëse doni ta bëni tortën vetëm me pana mund të mos e përdorni.
  2. Do të rrahim panën e ëmbëlsirave me rrahëse me korent sa të formohet një krem i qëndrueshëm. Nëse është e ëmbëlsuar mos shtoni sheqer tjetër, nësë jo do i shtojmë 2-3 lugë sheqer sipas dëshirës dhe vazhdojmë rrahim sa kremi të bëhet homogjen.
  3. Shtojmë dhe maskarponen dhe përziejmë edhe pak minuta në shpejtësi të ulët. Nëse do e montojmë tortën më vonë vendosim një qese sipër kremit dhe e vendosim në frigorifer.
  4. Gjithashtu, do të marrim çokollatën dhe me ndihmën e një qëruese perimesh do e grijmë në formë ashklash apo copëzash për ta përdorur për dekorin final. E vendosim në frigorifer të jetë e ftohtë.

Montimi i Tortës

  • Për mondimin e tortës përdorim një unazë me hapje të diametrit që kemi përgatitur pandispanjën.
  • Vendosim një pjatë poshtë dhe vendosim shtresën e parë. Me ndihmën e një furçe kuzhine e njomim shtresën e pandispanjës mirë me lëngun e qershive. Vendosim një shtresë kremi dhe një pjesë te qershive sipër.
  • Përsërisim proçesin deri në përfundim të tre shtresave.
  • E vendosim tortën 20-30 minuta në frigorifer dhe pasi heqim formën do fillojmë dekorimin e tortës me krem nga jashtë.
  • Do të përdorim të gjithë kremin që na ka tepruar për mbulimin e pjesës së jashtme të tortës dhe do ti veshim anët dhe sipërfaqen me copëzat e tortës të grira më parë.
  • Dekorojmë sipërfaqen e tortës me krem, apo pana dhe qershi të freskëta.
  • E vendosim tortën në frigorifer të qëndrojë e freskët për 1-2 orë dhe e shërbejmë të prerë në copa.

Ju Bëftë Mirë!

Easy Black Forest Cake-Family Cooking Recipes

Në Përmbyllje

Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.

Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.

Leave a Comment