Keku Me Ananas është një ëmbëlsirë e thjeshtë për tu përgatitur, e cila shijon më së miri për mëngjes apo pas një vakti.
Një copë kek me ananas i shoqëruar me një lugë akullore shijojnë shumë në këto ditë të fundit të Pranverës dhe ditët e nxehta të Verës që po vjen.
Kjo recetë përgatitet me ananas të freskët, shijen e të cilit e kemi kombinuar me arrën e kokosit për një shije delikate dhe të lehtë.
Keku del i shkrifët dhe shumë i shijshëm. Ju ftoj ta provoni dhe të kënaqni fëmijët dhe familjarët tuaj.
Përbërësit
- 4 vezë
- 220 g sheqer
- 100 g gjalp
- 1 gotë kos me shije kokosi(125 ml)
- 60 g arrë kokosi e tharë
- 350 g miell
- 1 pako fryrës për ëmbëlsira
- 500 g ananas i freskët i pastruar
- Pak kripë
Përgatitja
- Në një tas të madh qelqi do të rrahim me rrahëse vezësh elektrike, vezët me sheqerin dhe pak kripë, sa të bëhen shkumë.
- Shtojmë kosin. Unë përdora kos me shije kokosi, por ju mund të përdorni edhe kos natyral, ose me shije ananasi.
- Vazhdojmë përzierjen dhe shtojmë gjalpin e zbutur në temperaturë ambienti. Mund ta zëvendësoni gjalpin me 120 ml vaj vegjetal nqs nuk doni të përdoni gjalp.
- Shtojmë miellin e kokosit dhe miellin e përzierë me fryrësin. Vazhdojmë përzierjen me rrahësin elektric derisa të na formohet brumi.
- Në fund do të hedhim ananasin e prerë në copa kubik të vegjël. Mund të përdorni edhe ananas të konservuar.
- E hedhim në një tavë me diametër 24 cm dhe e pjekim në furrë të ngrohur më parë në 180 gradë për 50 minuta.
- Në fund do të bëjmë provën me kunjë dhëmbësh dhe duhet të dali e thatë. E lëmë për 5 minuta me furrë të fikur dhe e nxjerrim të ftohet. E heqim nga tava dhe e pluhurosim me sheqer pluhur.
- Pasi është ftohur, e presim në feta dhe e servirim sipas dëshirës shoqëruar me akulloren e preferuar.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Në vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.