Byreku me Fasule është një nga recetat më të vjetra të kuzhinës shqiptare, duke qenë se fasulja ka qenë edhe një nga ushqimet kryesore të stinës së vjeshtës dhe dimrit. Për përgatitjen e kësaj recete ne mund të përdosim një pjesë të supës sonë me fasule, nëse kemi gatuar me tepër apo ka tepruar, ose ti gatuajmë fasulet enkas për byrekun. Byreku me fasule përgatitet me petë të pjekura, të cilat nëse i përgatisni vetë dalin edhe më të shijshme.
Ju mund të hidhni një sy edhe tek Qofte Me Fasule Të Kuqe, apo Fasule Pllaqi Në Tavë.
Përbërësit
Për brumin
- 500 g miell oo
- 1 vezë (fakultative)
- 200 ml uje ( për 500 g miell duhet 250 ml ujë, por nëse do përdorni vezët do ja zbrisni peshën e vezës sasisë së ujit).
- Kripë
Për mbushjen e byrekut
- 200 g fasule
- 1 kokërr qepë
- 1 karrotë (fakultative)
- 1 spec i kuq (fakultative)
Shënim: Fasulen mund ta gatuani si ju pëlqen, unë e gatova duke i shtuar qepën, karrotën dhe specin, të cilat pasi zienë bashkë me fasulen i frulova dhe ja shtova supës me fasule. Fasulja duhet të zihet mirë, por e lëmë kokërr në byrek. Kjo është një recetë vegjetariane, por ju nëse doni mund të shtoni edhe proshutë, apo pancetë në mbushjen e byrekut. - 100-150 ml vaj ulliri për shtrimin e petëve
Përgatitja
- Do të sitim miellin, dhe do të zëmë brumë duke shtuar kripën, vezën, ujin. Do ta punojmë brumin sa të rezultojë i butë dhe jo ngjitës. Mund ta lëmë të pushojë 15-20 minuta.
- E ndajmë brumin në toptha të vegjël, gjithsej 12-15 pjesë, varet sa të holla i doni petët dhe secilën pjesë e hapim në një kulaç me diameter sa dora. I spërkasim me miell ose niseshte që të mos ngjisim dhe do fillojmë ti hapim me radhë në petë të cilat do i pjekim në furrën e parangrohur duke përdorur një nga tavat e sheshta të furrës. Unë i shtrova dhe një letër furre që petët të mos ngjisin. Mos i piqni shumë që mos thërrmohen dhe të jenë pak të buta që të mund të përthyhen kur të shtrojmë byrekun. Për të shtruar byrekun dhe rregulluar anët më bukur, pëtën e poshtme dhe të sipërme mos i piqni por lërini të njoma.
- Kur petët i kemi gati, dhe mbushjen po ashtu, do të marrim një tepsi, do e lyejmë me vaj. Do të shtrojmë petët me radhë, ku secilën petë do e spërkasim me vaj, dhe mundësisht me disa lugë nga lëngu i fasuleve të ziera. Në çdo 2-3 petë do të shtojmë edhe fasule kokërr. Kështu do vazhdojmë deri në përfundim, do e mbyllim byrekun me petët e njomë, pasi kemi palosur anët, dhe e vendosim të piqet në furrë të nxehur në 200 gradë për 25-30 minuta deri sa të marri ngjyrë të kuqërremtë.
- Do ta nxjerrim byrekun nga furra dhe e mbulojmë që të mbetet i butë kur ta presim.
E presim në copa dhe e shërbejmë të ngrohtë, duke e shoqëruar me një sallatë të stinës apo supë. Kjo është një pjatë e dytë vegjetariane shumë e shijshme.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që ndalët tek kjo recetë. Ne vlerësojmë mendimin tuaj, jeni të mirëpritur të ndani me ne opinionin tuaj në formën më poshtë.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.