Byreku Me Kungull Të Njomë- Best Summer Squash Recipe është një ndër recetat e byrekut shqiptar, shumë e përdorur në jug të vendit, gjatë stinës së verës dhe vjeshtës kur dhe kungulli është i njomë. Në disa zona byreku me kungull gatuhet me një mbushje të ëmbël, por ne sot do ju sjellim recetën me mbushje normale, si ne e gatuajmë në Përmet.
Përbërësit
Për Brumin
- 500 g miell për byrek
- 250 ml ujë
- Kripë 1 lugë çaji
- 100 ml vaj për shtrimin e petëve
Mbushja
- 1 kungull i vogël i njomë
- 2 vezë
- 100 ml qumësht
- 50 gram gjalpë pa kripë i shkrirë
- 3-4 lugë vaj ulliri
- Kripë
Përgatitja
- Presim kungullin në feta dhe e pastrojmë nga pjesa e farave dhe lëkurës. Copat e pastruara i grijmë në rende.
- Në një tas hedhim kungullin e grirë, i shtojmë qumësht, vezët e rrahura, kripë, gjalpin e shkrirë dhe vajin e ullirit.
- Nisim përgatitjen e petëve. Ndiqni të njëjtën proçedurë si tek byreku me spinaq. Gjeni këtu recetën.
- Ndizni furrën të nxehet në 200 gradë.
- Përfundojmë punën me petët dhe e shtrojmë byrekun në një tavë furre të lyer më parë me pak vaj. Gjithmonë do të shtroni pjesën më të madhe të petëve poshtë, hedhim mbushjen dhe vazhdojmë me shtrimin e petëve të tjera. Ju mund të zgjidhni ta hidhni mbushjen edhe në dy shtresa te veçanta të ndara mes tyre me 2-3 petë, ose një petë e holluar nga tre kuleçë.
- Rregullojmë anët e byrekut dhe e fusim në furrë të nxehur më parë 200 gradë për rreth 30 min. Do të marri ngjyrë të kuqërremtë.
- E heqim nga furra dhe e mbulojmë me letër alumini. Pasi të ftohet pak e presim në copa katrore dhe e servirim.
Ju bëftë mirë.
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.
Mos harroni të na ndiqni në faqet tona pranë rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.
Irinda