Patëllxhani është një zarzavat që gatuhet gjerësisht gjatë gjithë vitit, por më e preferuar është stina e verës dhe vjeshtës, kur dhe patëllxhanet i gjejmë të freskët dhe të rritur në fushë. Mënyrat për të gatuar patëllaxhanin janë të shumta. Në sot do ju përcjellim mënyrën tonë të gatimit të Patëllxhaneve Të Mbushur, ose siç e njohim në kulinarinë tonë, Imam ballajdi.
Ju mund të exploroni dhe provoni receta duke e gatuar këtë zarzavat, si pjatë kryesore, kombinuar me mish apo perime të tjera duke e gatuar të skuqur apo të furrës. Të panumërta janë recetat për ta gatuar patëllxhanin si sallatë, aperitiv, salsa, apo shoqërues të pastave dhe orizeve të grohta apo të ftohta. Ju mund të përdorni gjithë fantazinë tuaj me këtë zarzavat, pa ngurruar, duke ju siguruar se çdo pjatë do të jetë e shijshme, falë shijes delikate që ofron ky përbërës.
Përbërësit Për 4 Persona
- 5-6 patëllxhan mesatar
- 1 qepë
- 1 karrotë
- 1 spec
- 1 kungull
- 3 domate mesatare të kuqe
- Majdanoz, kripë, piper, vaj ulliri
- Hudhër. Rigon
Përgatitja
- Si fillim zgjedhim patëllxhane të freskëta dhe jo të mëdha sepse kur janë të mëdha ato kanë nisur të krijojnë fara në brendësi. I lajmë patëllxhanet në ujë të rrjedhshëm, i pastrojmë bishtat dhe i presim në mes, por jo deri në fund dhe i heqim me majën e një thike tulin e brendshëm. Mundohuni të hiqni vetëm pjesën e mesit duke i lënë muret e patëllxhanit ende me pak tul.
- Tulin grijeni në kubikë dhe mbajeni veç pasi do e përdorim për mbushjen.
- Patëllxhanët e përgatitur për mbushje i fusim të gjitha në një tas me ujë të vakët dhe kripë dhe i lëmë për 20 minuta.
- Veç nisim të përgatisim mbushjen duke grirë qepën, dhe perimet e tjera në kubik. I shtojmë me radhë në një tigan mesatar të thellë me 3-4 lugë vaj ulliri.
- Në fillim kaurdisim qepën derisa të zbutet pak dhe me radhë shtojmë karrotën, specin, kungullin, dhe pjesët e hequra nga tuli i patëllxhanit. Shtojme dhe pak kripë dhe piper, i përziejmë me kujdes në zjarr të mesëm për 7-8 minuta dhe shtojmë domaten e grirë në rende ose në kubikë të vegjël pasi ja kemi hequr lëkurën duke e lënë më parë disa minuta në ujë të ndrohtë.
- E lëmë gjithë mbushjen të gatuhet për rrreth 15 minuta duke e përzierë here pas here derisa të na formohet një salcë e shijshme. Shtojmë majdanoz të grirë dhe rigon (mund ta përdorim këtë salcë për të gatuar spageti me perime, duke shtuar disa gjethe borzilok. Erëzat gjithmonë sipas dëshirës, ju mund të shtoni majdanoz, borzilok, rigon apo mëndërz, që përdoren gjerësisht nga kuzhina jonë shqiptare.).
- Nxehim furrën në 200 gradë.
- Kullojmë patëllxhanët dhe i vendosim në një tavë furrre. I shtojmë 2 lugë vaj ulliri dhe i fusim në furrë për 15 -20 minuta në furrën e ngrohur më parë.
- Kur patëllxhanet të jenë gati, nisim mbushjen e tyre duke futur 2-3 lugë nga mbushja e përgatitur brenda secilit patëllxhan.
- I rregullojmë në tavë të vendosur bukur. Çdo patëllxhani i fusim nga 1 thelb hudhër të qëruar. Shtojmë dhe gjysëm gote ujë dhe i fusim të piqen për rreth 25-30 minuta në furrën e nxehur në 200 gradë. Kini kujdes të mos thahen shumë. Mbuloheni tavën nëse vëreni që po thahen patëllxhanët dhe përshtateni gradimin sipas furrës që juve përdorni në shtëpitë tuaja.
- Pas pjekjes shërbejini patëllxhanët e mbushur të ngrohtë. Kjo është një pjatë kryesore me bazë perimesh, shumë e shijshme dhe e shëndetshme, e cila mund të përdoret edhe si recetë vegane.
Ju mund të konservoni në një kontenier frigoriferi të mbyllur ose të mbuluar me celofon patëllxhanët e mbushur per 1-2 ditë. Ky është një gatim që mund të konsumohet edhe gjatë vakteve tuaja në ditët e javës, pasi merret lehtësisht në një vasketë për zyrë.
Lutem lini komentet tuaja, në formën më poshtë.
Faleminderit që na zgjodhët sërish.
Irinda