Kungulleshkat janë një prej zarzavateve që gatuhen në çdo shtëpi gjatë stinës së verës. Recetat për gatimin e kungulleshkave janë të shumta, dhe ne sot dëshirojmë të ndajmë me Ju gatimin e Petullave me Kungulleshka. Ju mund ti gatuani kungulleshkat në furrë, grill, tigan, tenxhere, kombinuar me zarzavate të tjera, duke realizuar receta dhe ide shumë të shijshme. Receta e sotme është e thjeshtë dhe e shpejtë, dhe ne mund të servirim dhe shijojmë këtë gatim delikat në mëngjes apo si aperitivë kur mblidhemi me miq apo të afërm, apo dhe për piknik apo kamping. Fëmijët gjithashtu e preferojnë shumë. Edhe pse, personalisht nuk preferoj të gatuaj për fëmijët receta të skuqura, herë pas here nuk bën keq, sidomos kur gatuajmë në familje dhe zgjedhim produktet dhe përbërësit për gatimin e recetave tona.
Përbërësit
- 3 kungulleshka jeshile ose të bardha, ose dhe lule kungulli
- 1 vezë
- 100 ml qumësht
- 100 g miell 00
- Kripë, piper
- 500 ml vaj misri ose luledielli për skuqje
Përgatitja
- Lajmë kungulleshkat, i presim në formë shtopinjsh (julienne) të trashë 1-2 cm.
- I kriposim pak dhe i vendosim në një kullesë të lëshojnë ujin e tepërt.
- Ndërkohë, në një tas rrahim vezën me pak kripë, dhe piper nëse doni. Shtojmë qumështin, dhe miellin dhe përziejmë me ndihmën e një rrahëse vezësh dore derisa mielli të tretet dhe të formohet një brumë homogjen. Veza dhe qumështi të jenë të ftohtë nga frigoriferi.
- Vendosim një tigan për skuqje në zjarr të mesëm, pasi nuk duam të na digjet vaji. Shtojmë vajin dhe e lëmë të ngrohet për skuqje.
- Shtojmë pak nga pak kungulleshkat e prera te brumi i përgatitur, i lyejmë nga të gjitha anët, dhe i hedhim për skuqje në tigan.
- I skuqim në zjarr të mesëm derisa të marrin ngjyrë të artë në kafe.
- I vendosim në një enë të veshur me letër kuzhine, pasi i heqim nga tigani, në mënyrë që tu heqim vajin që mund të kenë thithur.
- Shërbejini të ngrohta Petullat me Kungulleshka, shoqëruar me djathra të ndryshëm.
Ju bëftë mirë!
Shënim: Brumin për skuqje mund ta përgatisim edhe me përbërës të thjeshtë,duke zëvendësuar qumështin me ujë të ftohtë, ose dhe birrë. Për të shtuar vlerat ushqyese, unë ju sugjerova brumin me vezë dhe qumësht.
Faleminderit që vizitoni faqen tonë. Ndjehuni të lirë të lini komente, apo pyetje më poshtë.