Sufle me Ҫokollatë është një ëmbëlsirë delikate, me zemër të butë dhe kremoze çokollate dhe krokante nga jashtë. Ajo përgatitet me pak përbërës dhe shumë thjesht.
Sekreti për një sufle me zemër të butë dhe kremoze është tek pjekja, ndaj dhe ju rekomandojmë të piqni një prej formave kur jeni fillestarë për të vijuar më pas me pjekjen e sufleve të tjera.
Zakonisht sufleja piqet në forma njëracionëshe dhe shërbehet e ngrohtë. Ndaj nëse nuk keni kohë dhe doni të kënaqni miqtë tuaj, e përgatisni më parë dhe e ruani në ngrirje për ta pjekur në moment, pasi nuk duhen më shumë se 12-14 minuta.
Përbërësit
- 130 g çokollatë fondente
- 100 g gjalp
- 2 vezë të plota
- 2 të verdha
- 50 g sheqer
- 25 g miell
- Pak gjalp dhe kakao për format
- Akullore për ta shoqëruar
Përgatitja
- Si fillim do të shkrijmë çokollatën fondente në banjomari së bashku me gjalpin që e kemi në temperaturë ambienti. E heqim nga banjomaria dhe e lëmë te ftohet pak.
- Në një tas do të përziejmë me rrahëse vezët dhe sheqerin sa të përzihen mirë. Nuk ka nevojë të bëhen shkumë.
- Vijojmë gatimin duke shtuar çokollatën e shkrirë dhe duke e përzierë masën e vezëve njëkohësisht.
- Në fund do të shtojmë miellin e situr dhe e përziejmë mirë.
- Do ta hedhim përzierjen në forma të vogla një racionëshe alumini, të lyera me gjalp dhe të pudrosura me kakao.
- Suflenë e pjekim në furrë të nxehur më parë në 180 gradë për 10 -12 minuta. Duhet qe të ngelet kremoze në mes. Për ta arritur kohën e pjekjes si duhet, sepse varet nga furra që ju keni, piqni një sufle si fillim që ta shikoni sa kohë do të duhet.
- Suflenë mund ta përgatisni edhe më parë, i ruani edhe në ngrirje dhe ti piqni në momentin e duhur. Do të duhet në këtë rast, edhe dy minuta më shumë për pjekjen pasi i kemi direkt nga ngrirja.
- Suflenë e servirim të ngrohtë sipas dëshirës me akullore ose fruta të freskëta.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.