Ashurja është një ëmbëlsirë me origjinë nga vendet arabe dhe lindja, e cila në vendin tonë është trashëguar nga kultura turke, por që ndër shekuj është kthyer në një recetë tradicionale. Ashurja është një ëmbëlsirë që përgatitet në përditshmëri dhe do e gjeni lehtësisht në çdo pastiçeri apo bukëpjekës.
Ne po e ndajmë sot me ju, ju përgatitetni për kënaqësinë tuaj kur të dëshironi. Kjo është një ëmbëlsirë vegane pasi përmban vetëm drithëra dhe fruta, dhe konsiderohet një gatim shumë i shëndetshëm, i pasur me fibra, proteina, karbohidrate, dhe një larmi vitaminash dhe kripërash minerale.
Rreth Ashures
Kjo është një ëmbëlsirë më bazë drithërat e ndryshme, ku kryesisht mbizotëron përdorimi i grurit, por mund të gatuhet sipas zonave dhe traditës duke u përzierë edhe me një sërë drithërash të tjera si oriz, qiqra, misër, bishtajore, etj. Përbërës të tjerë që mund të shtohen në këtë ëmbëlsirë janë frutat e thata, shega, arrë, lajthi, hurma arabie, si dhe larmi erëzash si lëkurë portokalli, apo limoni, kanellë, etj. Sipas traditave të ndryshme numri i përbërësve që përdoren në recetë është nga shtatë përbërës, dhjetë, apo dymbëdhjetë.
Tradita e kërkon që sa herë përgatisim ashure ta ndajmë atë me miq dhe familjarët tanë, pasi simboli i kësaj ëmbëlsirë është paqja dhe dashuria. Kjo ëmbëlsirë ka edhe kontekst fetar në disa shtete, ku kryesisht vendet muslimane e përgatisim në ditën e dhjetë të muajit të parë të kalendarit të tyre, pasi Ashure do të thotë “i dhjeti”, ndërsa në vende të krishtera është traditë që të përgatitet për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Në vendin tonë komuniteti Bektashian e përgatit këtë ëmbëlsirë çdo datë 22 Mars për Ditën e Ashures.
Si të gatuajmë Ashure
Ëmbëlsira është e thjeshtë ku drithërat e përdorur zihen mirë, ëmbëlsohen me sheqer dhe shijohen me frutat e thata dhe aroma të ndryshme. Unë e kam gatuar me grurë duke e pasuruar recetën me një larmi frutash të thata dhe duke e zëvendësuar sasinë më të madhe të sheqerit me reçel të përgatitur vetë.
Unë kam përdorur fruta të thata sipas preferencës. Ju mund të shtoni fruta të thata sipas dëshirës dhe çfarë ju ndodhet në kuzhinën tuaj.
Frutat e thata i kam përdorur për më tepër shije, aromë, dhe të përdor ëmbëlsinë e tyre sa të mundem që të evitoj përdorim të tepërt të sheqerit.
Jemi në pranverë dhe duhet të hamë sa më shëndetshëm, të përgatisim organizmin për stinën e verës dhe të pastrojmë trupin tonë, ndaj rekomandoj që përdorimi i sheqernave të jetë sa më i moderuar.
Për një gatim më të lehtë dhe të shpejtë unë preferoj ta vendos grurin apo drithërat në ujë për disa orë përpara gatimit, ose edhe gjithë natën. Në këtë mënyrë fitoj kohë me gatimin, pasi drithërat zihen shumë shpejt.
Pasi drithërat i ziejmë mirë do të shtojmë sheqerin, apo ëmbëlsuesin që do përdorim si dhe niseshten e holluar në ujë. Unë përpiqem që drithërat të ziejnë mirë të lëshojnë amidonin e tyre duke arritur kështu një trashje natyrale të ashures dhe jo domosdoshmërisht me sasi të lartë të niseshtes.
Në fund shtojmë frutat e thata dhe aromat, e ndajmë në tasa apo kupa për një person dhe e dekorojmë sërish me kanellë dhe arra të grira.
Përbërësit
- 500 g grurë
- 2.5-3 litër ujë
- 3-4 lugë sheqer kaf
- 1-2 lugë niseshte
- ½ kavanoz reçel
- 100 g arra
- 100 g bajame
- 50 g lajthi
- 50 g bronicë e kuqe e thatë
- 100 g kajsi
- 100 g hurma arabie pa bërthamë
- 50 g rrush të thatë
- 50 g kumbulla të thata
- Karafil, kanellë
Përgatitja
- Do të lajmë grurin mirë dhe e vendosim në një enë më ujë të pushojë për disa orë përpara zierjes.
- E shpëlajmë sërish dhe e vendosim në zjarr mesatar të ziejë për 15-20 minuta me një litër ujë.
- Ndërkohë do përgatisim edhe frutat e thata. Kështu vendosim rrushin, kajsitë e copëtuara, kumbullat e copëtuara, boronicën e kuqe në ujë të zbuten.
- Arrat, bajamet, lajthitë dhe hurmat e arabisë do i copëtojmë më nje thikë kuzhine.
- Kur gruri ka zierë mirë dhe ka filluar të çlirojë amonidon e vetë, do të shtojmë sheqerin dhe reçelin. Trazojmë mirë që të tretet sheqeri.
- Tresim niseshten në ujë dhe e shtojmë tek gruri i zierë. I përziejmë dhe i ziejmë në zjarr të ulët edhe pak minuta sa të fillojë të trashet.
- Shtojmë gjithë frutat e thata të kulluara nga uji, arrat, bajamet hurmat e arabisë, dhe lajthitë, karafil, dhe kanellë sipas dëshirës, dhe përziejmë mirë që të gjitha këto të shpërndahen në gjithë sasinë e ashures së përgatitur.
E hedhim në tasa apo kupa një përdorimshe dhe e dekorojmë me kanellë pluhur, arra dhe fruta të thata të copëtuara. - E lëmë të ftohet dhe e shërbejmë sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.