Biskota Me Mollë Dhe Ҫokollatë janë një ëmbëlsirë shumë e thjeshtë, e cila ëmbëlson mëngjeset tuaja dhe është një shoqëruese shumë e mirë e kafes apo çajit të pasditës apo darkës. Përdorimi i niseshtes dhe miellit të orizit në këtë recetë i bën biskotat edhe më të shijshme, dhe gjithashtu nëse do të përdorim një mollë të ëmbël dhe pjekur mirë do të përdorim edhe sheqer në sasi të moderuar, për të përgatituar biskota sa më të shëndetshme. Unë kam përdorur çokollatë të zezë në copa, por ju mund të përdorni edhe çokollatë me qumësht, nëse preferoni ti shijoni shumë të ëmbëla këto biskota.
Ju mund të provoni edhe Kek Me Mollë dhe Banane.
Përbërësit
- 1 vezë
- 100 g sheqer
- 100 g vaj misri
- 150 g mollë e qëruar
- 50 g niseshte
- 100 g miell orizi
- 200 g miell 00
- 70-100 g copëza çokollatë e zezë
- Lëngu i një limoni
- 1 lugë çaji kanellë pluhur
- ½ pako fryrës ëmbëlsirash
- Sheqer kaf aq sa duhet
Përgatitja
- Do të lajmë dhe pastrojmë nga lëkura mollën dhe e presim në copëza të vogla. I shtojmë lëngun e limonit që të mos na nxihet dhe kanellën.
- Në një tas përziejmë të gjithë përbërësit e thatë, miellin e orizit, miellin, niseshten, fryrësin, i sitim dhe përziejmë mirë.
- Në një tas do të rrahim vezën me sheqerin. Shtojmë edhe vajin dhe përziejmë mirë.
- Do të shtojmë miellin pjesë pjesë dhe në fund shtojmë copëzat e mollës dhe çokollatën në copëza.
- Do të marrim një tavë pjekje, e veshim në letër furre. U japim formë me duar e lyera me vaj dhe i kalojmë në sheqer kaf. Do i vendosim biskotat në tavë të larguara nga njëra tjetra. Nëse brumi rezulton shumë ngjitës mund të shtoni pak miell tjetër, ose ta lini brumin të pushojë në frigorifer të paktën 30 minuta.
- I pjekim biskotat në furrë të parangrohur për 15-20 minuta, në varësi dhe të furrës që keni. Biskotat dalin të buta dhe të shkrifëta nga brenda dhe krokante nga jashtë për shkak të sheqerit kaf.
- I lëmë të ftohen dhe i shijojmë për mëngjes, apo pasdite më një gotë çaj.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një pyetje apo koment mbi recetën, apo ta ndani atë.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.