Çarçaf Byrek apo Hapja e Petës Me Dorë është një gatim i kuzhinës turke. Ka këtë emërtim pasi petët e byrekut i hapim me dorë mbi një pecetë tavoline apo çarçaf të pastër. Peceta na ndihmon për mbledhjen e petës role.
Peta hapet me dorë dhe mbledhja gjithashtu mund të bëhet edhe me dorë, por ndihmuar nga një pecetë është më e thjeshtë. Brumi del më i shkrifët pasi piqet, pasi në mbledhje peta merr më shumë ajër.
Si gatuhet kjo recetë
Kjo recetë do ju shpjegojë përgatitjen e brumit dhe hapat që ndjekim për hapjen e petëve me dorë, pa përdorur një hapës petës apo rul kuzhine. Ky lloj brumi përgatitet me vetëm tre përbërës, miell, ujë dhe kripë.
Mbushjen e byrekut mund ta përgatisim si të duam. Unë e kam përgatitur me Kungull Të njomë, por ju mund ta mbushni me Spinaq, Gjizë, Qepë Të njoma, Presh, Patate, etj.
Për të hapur sa më mirë brumin pa na u grisur peta, duhet që brumi të punohet mirë në fillim. Gjithashtu e lëmë të pushojë në mënyrë që të bëhet më i butë dhe të hapet lehtë. Tjetër element, uji që përdorim për zënien e brumit duhet i ngrohtë.
Ndryshe nga brumi tradicional i byrekut tonë, ku raporti i lagështirës është zakonisht 50% ujë të sasisë së miellit, për këtë lloj brumi përdorim pak më tepër ujë. Brumi duhet më i butë, por jo që të ngjisi. Prandaj dhe e punojmë mirë sa të arrijë strukturën e duhur.
Përbërësit
Për brumin
- 500-550 g miell
- 350 ml ujë i ngrohtë
- 1 lugë çaji kripë
Për petët
- 50 g gjalp
- 50 ml vaj vegjetal
- 1 e verdhë veze për të lyer në sipërfaqe (facultative)
Për mbushjen
- Një copë kungull i njomë ose 2-3 kungulleshka
- 1 vezë
- 1 lugë plot me gjizë pa kripë
- 50 g djath i bardhë
- 50 g djath kaçkavall
Përgatitja
Punimi i Brumit
- Si fillim, në një tas do të hedhim miellin, kripën dhe shtojmë gradualisht ujin e ngrohtë. Kur të kemi përzierë të gjithë sasinë, do ta punojmë brumin mirë për 10-15 minuta. Duhet që pas këtij rezultati të këmi një brumë të butë, i cili mund të jetë ende pak ngjitës.
- Në tavolinën e punës, do të shtojmë pak miell dhe do të punojmë brumin edhe për 5 minuta në mënyrë që ta mbledhim dhe të ketë butësinë e duhur.
- Do e ndajmë brumin në pjesë të barabarta. Unë e ndava në katër pjesë, ju mund të zgjidhni ta ndani edhe më shumë sidomos nëse jëni fillestar në hapjen e brumit me dorë. Në këtë mënyrë nuk do ju duhet të hapni petë shumë të mëdha dhe do e keni më të lehtë.
- Pjesët e brumit do i vendosim në një pecetë dhe do e mbulojmë po me pecetë të pastër, duke e lënë të pushojë të paktën për 20 minuta.
- Ndërkohë mund të përgatisim mbushjen që kemi zgjedhur për byrekun. Në rastin tim, unë e griva kungullin me një rende, e lashë në një kullesë që të largoja ujin e tepërt. Më pas e përziejmë me përbërësit e tjerë dhe mbajmë mënjanë për ta përdorur kur të kemi petët gati.
Hapja e Petëve
- Pasi kalon koha, do të hapim brumin në kuleçë me dimension 20-30 cm dhe do i lyejmë në sipërfaqe me përzierjen e gjalpit me vajin.
- I vendosim në një pjatë sipër njëri-tjetrit dhe do I mbulojmë më një qese për ti lënë të pushojnë edhe për 20 minuta të tjera.
- Në një tavolinë hapim një mbulesë të pastër dhe sipër saj do hapim petët me dorë. E terheqim petën vetëm në skajet e saj, pra duke terhequr me mollëzat e gishtave vetëm konturin e petës, dhe jo më në brendësi pasi mund të griset.
- Do e hapim sa të mundemi petën. E spërkasim me pak yndyrë.
- Në njërën anë, pasi e kemi palosur petën për 10 cm do të shtojmë masën e përgatitur për mbushje. Mund ta vendosim mbushjen si shirit, ose edhe ta shpërndajmë masën në një sipërfaqe me gjerësi 20-30 cm.
- E mbledhim petën role duke ngritur mbulesën. E vendosim po role në tavën e përgatitur për pjekjen e byrekut, të cilën e këmi lyer gjithashtu me yndyrë.
- Në fund do ta spërkasim më yndyrën e mbetur dhe e lyejmë petën nga sipër me një të verdhë veze.
- Do e pjekim në furrë të parangrohur në 200 gradë për 35-40 minuta, ose në temperaturën që ju zakonisht piqni byrekun në furrën tuaj.
- E nxjerrim nga furra pasi piqet, e lëmë të ftohet pak, dhe e presim në copa për ta servirur sipas dëshirës.
Ju Bëftë Mirë!