Spaghetti Me Midhje Të Zeza Dhe Domate është një recetë shumë e shijshme verore. Mund ta shijoni në fundjavë apo në perditshmëri për një shije deti qv do ju pëlqejë shumë.
Midhjet e zeza janë shumë të shijshme dhe gatuhen shumë lehtë. Ato janë një frut deti që rritet e kultivohet në detet tona. Blijini ato të freskëta dhe gatuajini për të afërmit dhe miqtë tuaj. Do të mbeten të surprizuar.
Si i pastrojmë midhjet e zeza
Për ti gatuar midhjet, si fillim merremi me pastrimin e tyre. Midhjet e zeza, pastrohen lehtë. Ato për tu rritur dhe ushqyer varen në një leshterik, i cili del nga midhja në formën e një xhufke të vogël.
Kjo duhet hequr duke e tërhequr me rrëshqitje për nga pjesa më e gjerë e guaskës. Do të shkëputet me lehtësi.
Pastaj do ti pastrojmë me një tel enësh duke i hequr të gjitha papastërtitë që kanë në guaskë.
Midhjet e thyera ose të hapura nuk i përdorim sepse janë të prishura. Kjo është pjesa që kërkon pak kohë në recetat e gatimit me midhjet e zeza.
Pasi ti kemi gati midhjet e pastruara, ju mund ti gatuani ato në receta makaronash, rizoto, sote etj.
Ju mund të provoni edhe Makarona me Midhje dhe Karkaleca.
Përbërësit
- 500 g makarona spaghetti
- 500 g midhje të zeza
- 4 domate të pjekura mirë
- Borzilok e majdanoz i freskët
- Hudhër
- Spec djegës
- Vaj uliri
- Kripë e piper të zi
Përgatitja
- Në një tigan do të hedhim pak vaj ulliri, 1 thelp hudhër dhe specin djegës. I lëmë sa të lëshojnë aromat dhe shtojmë midhjet e pastruara.
- I mbulojmë me kapak dhe i lëmë të hapen për 3-4 minuta. Nuk shtojmë kripë sepse ato kanë vet. Ndonjëherë mund të kenë më shumë seç duhet. Midhjet e pa hapura pas këtij proçesi nuk përdoren sepse nuk jane të freskëta.
- Në një tigan tjetër do të përgatitim salcën e domates duke shtuar hudhër, vaj ulliri dhe domatet e pastruara dhe të prera në kubik të vegjël.
- Do ti gatuajmë për 10 minuta sa të na krijohet salca. Mund të përdorni edhe salcë të gatshme në shishe për shpejtësi. Por meqë është stina e domateve i përdorim ato të freskëta.
- Do të shtojmë në tiganin e salcës midhjet. Mund ti heqim një pjesë të guackave ose edhe të gjitha. Mua personalisht më pëlqen ti kem ato në pjatë, sepse ngjan më bukur.
- Do të shtojmë dhe lëngun e midhjeve te salca. E kullojmë për ndonjë papastërti.
- Shtojmë edhe erëza të freskëta e piper të zi. Për kripë e provojmë dhe e rregullojmë.
- Ndërkohë ziejmë spagetit në ujë të vluar me kripë dhe i kullojmë al dente.
- I shtojmë te salca dhe i përziejmë për një minutë të gjitha sa të marrin shije. Shtojmë dhe pak nga uji i pastave që ta lëmë salcën të lëngshme.
- I servirim menjëherë të ngrohta dhe me një fije vaj ulliri e borzilok të freskët.
Ju bëftë mirë!