Kek Me Panxhar Dhe Ҫokollatë është një ëmbëlsirë e shëndetshme dhe shumë e shijshme. Origjina e tortës me çokollatë është nga Anglia, por që gatuhet gjerësisht në shumë vende për vetë shijen dhe veçantinë që ofron panxhari. Në këtë recetë ai kombinon më së miri më kakaon për të na dhënë një shije unike. Unë kam përdorur sheqer kaf dhe në mënyrë të moderuar për të realizuar një keks a më të shëndetshëm edhe për fëmijët. Gjithashtu nuk kam përdorur gjalp apo vaj vegjetal por e kam gatuar me vaj ulliri.
Panxhari është një nga perimet që duhet konsumuar sa më tepër në këtë periudhë pasi mbart vlera të larta ushqyese dhe është një nga perimet që duhet të konsumojmë për pastrimin e organizmit dhe forcimin e mureve të zemrës. I kultivuar që në Egjiptin e Lashtë, panxhari është një nga furnizuesit më të mirë të folateve për organizmin. Panxharin mund ta konsumojmë si të gjallë në lëngje, por edhe të gatuar, zierë apo pjekur për të realizuar sallata, supë, pasta, rizoto, tarta të kripura, por pse jo edhe ëmbëlsira shumë të shijshme.
Përbërësit
- 300 g panxhar i zier ose pjekur
- 3 vezë
- 180 ml vaj ulliri
- 180 g sheqer kaf
- 1 lugë çaji aromë vanilje
- 200 g miell për ëmbëlsira
- 60 g kakao e hidhur (unë kam përdorur kakaon ezezë)
- 1 lugë çaji fryrës ëmbëlsirash
- ½ lugë çaji sodë buke
- Pak kripë
Për kremin
- 100 g krem djathi Philadelphia
- 100 ml pana që rrihet
- 60 g çokollatë e bardhë
- 1-2 lugë lëng panxhari
Përgatitja
- Do të ndezim furrën në 180 gradë dhe përgatisim nje tavë pjekje të lyer me gjalp dhe pudrosur me miell.
- Panxharin e pastruar nga lëkura dhe të zier më parë do e frulojmë që të bëhet një pure e imët.
- Në një tas qelqi do të shtojmë purenë e panxharit, vezët, sheqerin, vajin, aromën e vaniljes dhe do i përziejmë mirë më një tel dore sa të bëhet një masë homogjene.
- Në një tas tjetër do të përziejmë miellin dhe kakakon e situr, kripën, fryrësin e ëmbëlsirave dhe sodën e bukës.
- Do i shtojmë gradualisht te masa e lëngësht dhe do i përziejmë me një spatul sa të kemi një masë homogjene.
- E hedhim në tavë pjekje dhe e pjekim në furrën e parangrohur për 30 minuta.
- E nxjerrim kekun nga furra, e heqim nga tava dhe e lëmë të ftohet.
- Do pregatisim kremin për dekor.
- Në një tas do rrahim kremin e djathit me rrahëse elektrike sa të zbutet. Do të shtojmë çokollatën e bardhë të shkrirë dhe përziejmë sërish.
- Do të rrahim panën veç dhe e përziejmë me kremin e mëparshëm. Shtojmë dhe lëngun e panxharit për ngjyrë. Këtë krem mund ta vendosim në frigorifer dhe ta dekorojmë tortën përpara se ta servirim, ose edhe direkt nëse do ta servirim në moment.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje mbi recetën si dhe ta ndani atë me miq e të afërm. Ne vlerësojmë suportin dhe opinonin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.