Gjoksin e Pulës mund ta gatuajmë në shumë mënyra, të pjekur, në tigan, të zgarës, të mbushur, role, etj. Sot do të ndajmë Shirita Gjoksi Pule Me Kërpudha, të gatuara në tigan për një pjatë të dytë plot shije dhe aromë. Kjo është një recetë e shpejtë, që e përgatisim dhe gatuajmë në më pak se 20 minuta dhe e shijojmë të ngrohtë në një drekë apo darkë në familje apo me miq. Receta gatuhet me kërpudha të freskëta, domate qershi dhe ullinj.
Ju mund të provoni edhe gjoks pule me kërpudha dhe pana.
Përbërësit
- 1 gjoks pule rreth 500 g
- 500 g kërpudha të freskëta
- 8-10 domate të vogla
- 8-10 kokrra ullinj jeshil
- ½ gotë verë e bardhë
- 2 lugë miell
- 1 thelp hudhër
- Majdanoz i freskët
- Kripë, piper, vaj ulliri
Përgatitja
- Do të presim në rripa mesatarë gjoksin e pulës të cilin e kemi pastruar nga kocka, larë dhe tharë me letër kuzhine.
- Do të përgatisim edhe kërpudhat duke i pastruar mirë nga dherat, heqim cipën në sipërfaqe dhe i presim në feta.
- Do ti pudrosim copat e pulës me miell dhe i përziejmë mirë.
- Në një tigan që nuk ngjit do të shtojmë pak vaj ulliri dhe gatuajmë copat e pulës nga të dyja anët sa të marrin një ngjyrë ari të lehtë. Nuk duhet të gatuhen shumë, por duhet të kujdesemi që mos të ngelen pjesë të pagatuara. Sapo gatuhen e fikim flakën.
- Ndërkohë në një tigan tjetër do të shtojmë vaj ulliri, një thelp hudhër dhe kërpudhat e prera në feta. Do të shtojmë kripë, piper, domatet e prera në mes ose çerek (varet nga madhësia) dhe ullinjtë pa bërthamë.
- Do i lëmë të gjithë të gatuhen në pak minuta deri sa kërpudhat të fillojnë të zbuten. Do të bashkojmë dhe gjoksin e pulës dhe do të rrisim nxehtësinë e gatimit. Do ta shuajmë të gjithën me verë të bardhë, dhe do i lëmë të gatuhen dhe marinohen të gjitha së bashku deri sa të avullojë pjesa alkolike e verës. Pas kësaj ulim temperaturën dhe lëmë edhe për pak minuta sa të përthithet lëngu i lëshuar nga kërpudhat dhe domatja. E shijojmë sërish më pak kripë, piper dhe majdanoz të freskët.
- E hedhim në një pjatancë të madhe, e dekorojmë me domate te freskëta dhe majdanoz të grirë dhe e shërbejmë të ngrohtë në pjata individuale sipas dëshirës. Kjo është një pjatë e dytë shumë e shijshmë që mund të shoqërohet me nje supë me pulë, supë më kërpudha, sallatë më kërpudha, etj.
Ju bëftë mirë!
Në Përmbyllje
Faleminderit që na ndiqni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini komentet tuaja, pyetjet apo ta ndani këtë recetë me miqtë tuaj. Ne vlerësojmë opinionin tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.