Gatimi i Krepave është një nga recetat më të thjeshta dhe me to mund të krijojmë dhjetra ide për darkën apo mëngjesin tonë apo të fëmijëve duke i mbushur me shije të ëmbëla apo të kripura sipas preferencës. Kjo recetë e Krepa Me Kërpudha Dhe Proshutë është një zgjidhje shumë e shpejtë për drekën apo darkën tuaj. Një recetë e lehtë për tu realizuar, e shijshme dhe e plotë përsa i përket vlerave dhe kalorive ushqimore të nevojshme për vaktin. Ne kemi ndarë me ju edhe më parë recetën e Krepave për përgatitjen dhe gatimin e brumit bazë të krepave. Sot po ju sjellim një recetë për mbushjen e tyre e cila është një vakt I pëlqyer për gjithë familjen sidomos për fëmijët.
Përbërësit
Për brumin e krepave
- 2 vezë
- 400 ml qumësht
- 150 g miell
- Pak kripë
Për Mbushjen
- 3 kërpudha kafe
- Thelp hudhër, majdanoz, kripë e piper, vaj ulliri
- 200 g proshutë e pjekur
- 300-400 g salcë beshamel (300 ml qumësht, 30 g gjalp, 30 g miell)
- Djath guda 100 g
- 2 lugë Djath grana i grirë
- Pak gjalp
Përgatitja
- Do të përgatisim krepat duke zënë brumin siç e kemi treguar me parë në recetën tonë të krepave. Lexoni këtu recetën e plotë.
- Ndërkohë lajmë dhe presim kërpudhat në feta dhe nisim gatimin e tyre. Në një tigan me pak vaj ulliri dhe 1 thelp hudhër, i gatuajmë kërpudhat e prera duke ju shtuar edhe kripë e piper. Do të bëhen gati për pak minuta. I shtojmë edhe majdanozin e grirë dhe i lëmë veç.
- Pregatisim edhe beshamelin siçe kemi shpjeguar në recetën e Salcës Beshamel.
- Bëjmë gati edhe krepat duhe i pjekur në një tigan që nuk ngjit.
- Në përfundim të të gjithë brumit, i kemi krepat gati dhe mund ti mbushim. I shtrojmë në gjysmën e tyre proshutën, sipër saj do të vendosim kërpudha, i hedhim edhe beshamel dhe djathin guda të grirë.
- I palosim në mes dhe më pas në trekëndësh dhe i vendosim në tavë. Vazhdojmë kështu me të gjitha dhe sipër i hedhim nga një lugë beshamel, djathin grana të grirë dhe nga pak gjalp të secili krep.
- I fusim në furrë të ngrohur më parë në 200 gradë për 15-20 minuta. Mund ti përgatisni krepat edhe me parë dhe i fusim në furrë disa minuta përpara se të konsumojmë vaktin që ti servirim të ngrohta.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit qe na ndiqni dhe shijoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini komentet tuaja. Ju falenderojmë për mbështetjen dhe që ndani opinionin tuaj me ne. Ne e vlerësojmë atë.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.