Lasagna është një nga gatimet më të shijshmë të kategorisë së pastave, dhe mund të gatuhet me përbërës të ndryshëm, për të shijuar receta shumë të shijshme qoftë për ata që duan mishin dhe nënproduktet e tij apo edhe për ata qe duan gatimet vegjetariane. Sot do të sjellim Lazanjën Me Kërpudha Dhe Salçiçe, një recetë shumë e shijshme për gjithë familjen. Nëse doni ta përgatisni këtë recetë në versionin vegjetarian, mjafton të eleminoni salçiçen dhe të zbatoni recetën në të njëjtën mënyrë.
Kjo është një recetë që mund ta përgatisni qoftë në përditshmëri ashtu edhe në fundjavë për një drekë në familje. Ju mund ta përgatisni këtë recetë me pëtë lazanjë të freskëta duke ju referuar recetës sonë të përgatitjes së petëve të lazanjës, por për lehtësi mund të blini edhe petë lazanje të gatshme, të cilat nuk kërkojnë zierje dhe shtrohen direkt në tavë për pjekje.
Përbërësit
• 250 g petë lazanje të freskëta
• 500 g kërpudha champinjon
• 500 g salçiçe freskët
• 1 qepë e vogël e kuqe
• ½ gotë verë e bardhë
• 600 ml beshamel
• 150-200 g djath i grirë
• Vaj ulliri
• Kripë
• Piper
• Majdanoz ose trumzë e freskët
Përgatitja
- Në një tigan do të shtojmë vaj ulliri dhe qepën e grirë hollë dhe 2-lugë ujë. Do i lëmë të kaurdisen pak sa të zbutet dhe do të shtojmë salçiçen, pasi ja kemi hequr cipën që e mbështjell. E shtypim salçiçen me pirun që të thërrmohet dhe e lëmë të kaurdiset sa të ndërrojë ngjyrë.
- Do e shuajmë me verë të bardhë duke e ngritur temperaturën e gatimit deri sa alkoli të avullojë plotësisht.
- Shtojmë kërpudhat, të cilat i kemi pastruar nga cipa e sipërme, këmbët e shpëlara nga dherat dhe të prera në feta të holla. Do i shtojmë kripë dhe pipër dhe do i gatuajmë të gjitha bashkë në temperaturë të ulët me kapak mbuluar për rreth 20 minuta. Pasi të jetë gati do i shtojmë edhe erëzat që duam.
- Gjatë kësaj kohe do të përgatisim edhe beshamelën sipas recetës që ju kemi shpërndarë më parë. Lexo këtu recetën e plotë të salcës së beshamelës.
- Ndezim furrën të nxehet në 200 gradë celcius.
- Marrim një tavë për pjekjen e lazanjës, do të shtojmë në fund pak beshamelë, do vendosim petët, beshamelë, pak nga përzierja e kërpudhave me salçiçet dhe djath të grirë. Kështu do të vazhdojmë deri në fund, duke përfunduar në sipërfaqe me beshamelë, kërpudhat dhe salçiçen, dhe mjaftushëm djath të grirë, i cili kur të shrijë do të krijojë edhe koren e bukur të lazanjës.
- E pjekim në furrën e nxehur për 30-35 minuta sa të marri ngjyrën e kuqërremtë.
- Do e lëmë pak minuta të pushojë pasi e heqim nga furra, e presim dhe e shërbejmë menjëherë.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që vizitoni blogun tonë. Ndjehuni të lirë ta ndani recetën, provoni, dhe komentoni në formën më poshtë.