Kulluret janë biskota me kos të traditës shqiptare të cilat janë përgatitur prej dekadash nga nënat tona, një zgjidhje me pak përbërës, por shumë të shëndetshme dhe të shijshme. Këto biskota mund ti përgatisni për çdo periudhë të vitit, ti konsumoni për mëngjes, gjatë ditës, si snack, etj.
Këto biskota janë një zgjidhje shumë e mirë edhe për fëmijët e vegjël pasi mund ti përgatisni të kripura apo të ëmbëla, me pak sheqer apo sipas dëshirës për një gatim të shpejtë dhe plot shije. Kulluret gatuhen me kos, vezë, dhe sodë buke, të cilat nuk duhet të mungojnë në këtë recetë, pastaj aromat, apo sasia e sheqerit janë në preferencën tuaj. Brumi gatuhet i butë dhe me ndihmën e dy lugëve do i japim formë dhe direkt në furrë, ku për rreth 20 minuta i kemi gati për ti shijuar.
Përbërësit
- 350 g miell 00
- 100 g sheqer
- 2 vezë
- 100 ml kos
- 50 ml vaj ulliri
- 50 g gjalp
- 1 lugë çaji fryrës për ëmbëlsira
- 1 lugë sodë buke
- Pak kripë
- Lëkurë limoni dhe lëkurë portokalli
Përgatitja
- Do të shkrijmë gjalpin pa e lënë të nxehet ose do e lëmë për disa orë në temperaturë ambienti.
- Në një tas do të shtojmë vezët, pak kripë dhe sheqerin dhe do i rrahim bashkë sa të shkrihet sheqeri dhe bëhet një masë kremoze.
- Do të shtojmë vajin e përzierë me gjalpin, lëkurën e limonit apo portokallit, apo vanilje nëse e preferoni më tepër, do i përziejmë mirë. Shtojmë edhe kosin dhe përziejmë sërish.
- Do të shtojmë gradualisht miellin e situr të përzierë me fryrësin dhe sodën e bukës. Brumit të përgatitur do i japim formë me dy lugë dhe e transferojmë në një tavë me letër furre.
- Do i vendosim të piqen në furrë të parangrohur në 180 gradë për 20 minuta derisa biskotat të marrin ngjyrë të kuqërremtë.
- Nëse dëshironi mund ti spërkasni edhe me sheqer pluhur, por janë shumë të shijshme edhe pa përdorur sheqerin pluhur.
Ju bëftë mirë!
Faleminderit që na ndiqni dhe suportoni duke ndjekur dhe vizituar faqen tonë. Jeni të mirëpritur të lini pyetjet apo komentet tuaja me poshtë apo të ndani këtë recetë më miqtë tuaj.
Na ndiqni në Facebook dhe Instagram për të mësuar recetat tona më të fundit.