Tavë Kosi Recipe është një nga gatimet tradicionale të Shqipërisë së Mesme, karakteristikë e trevës së Elvasanit, e cila spikat me disa Receta të tavave të traditës, një prej të cilave është dhe kjo recetë. Ne sot për ju do të sjellim Tavë Kosi me Mish Qengji. Shumë prej nesh e gatuajnë këtë recetë me çfarë mishi na ndodhet, por Receta tradicionale gatuhet me Mishin e qengjit.
Përbërësit Për 4 Persona
- 1 kg mish qengji
- 700 g kos
- 2 vezë
- 2 lugë oriz
- 2 lugë miell
- 300 ml lëng mishi
- 50 g gjalpë pa kripë
- 2 lugë vaj ulliri
- Kripë,Piper, arrë moskat
Përgatitja
- Nxehim furrën në 200 gradë celcius.
- Në fillim presim mishin në copa, e lajmë dhe e thajmë me letër kuzhine.
- E vendosim në një tavë për ta pjekur dhe e fusim në furrë për rreth 1 orë në furrën e nxehur më parë në 200 gradë. Mund edhe ta zieni mishin në tenxhere me presion për rreth 20 min, por i pjekur ka një shije më të mirë.
- Kur të ketë kaluar gjysma e kohës së pjekjes e mbulojmë mishin me letër alumini. Mund të shtojmë dhe 1 filxhan çaji ujë të ngrohtë në tavë. Pasi të jetë pjekur mishi, vazhdojmë me pjesën tjetër të gatimit të tavës.
- Heqim mishin dhe në tavën e pjekjes do të ketë lëshuar lëngun e tij . E kullojmë lëngun e mishit sepse do të na duhet për salcën e miellit. E shtojmë me ujë që të kemi sasinë e duhur nëse kemi pak lëng mishi në tavën e pjekjes.
- Në një tenxhere të vogël hedhim gjalpin dhe e vëmë në nxehtësi mesatare.
- Shtojmë miellin dhe e përziejmê për pak minuta sa të marri pak ngjyrë.
- Shtojmë lëngun e mishit dhe e përziejmë që të na formohet një masë kremoze.
- Në një tas të thellë, përziejmë vezët, shtojmë kosin, dhe duke e përzierë shtojmë edhe salcën kremoze që gatuam me lëngun e mishit. E rregullojmë me kripë.
- Në 1 tavë të madhe balte ose në tava të vogla një-racionëshe, hedhim orizin e larë , vendosim copat e mishit dhe hedhim masën e kosit të përgatitur më lart. I shtojmë pak vaj ulliri ose gjalp dhe e fusim në furrë të ngrohur më parë në 200 gradë për 45 minuta.
Pasi piqet e lëmë të pushojë pak dhe e shërbejmë të ngrohtë.
Ju bëfte Mirë.
Faleminderit që zgjodhët një tjetër recetë nga gatimet tona.
Irinda