Bukë Me Banane Pa sheqer është një recetë shumë e thjeshtë dhe e shëndetshme. Kjo është një mënyrë për të përdorur shëndetshëm bananet shumë të pjekura, duke konsumuar një ushqim të pasur në karbohidrate, por pa sheqer të shtuar.
Kjo bukë do jetë e ëmbël vetëm me sheqerin që përmban bananja dhe frutat e thata që do të shtojmë në recetë.
Gjithashtu kjo bukë nuk ka nevojë të punohet shumë brumi si në recetat e tjera, gatuhet shpejt dhe me pak përbërës.
Ju mund të provoni edhe Muffins Me Banane, apo Bukë e Shpejtë.
Përbërësit
- 2-3 bananne të pjekura mirë (280-300 g banane të qëruara)
- 1 vezë e madhe
- 1 lugë çaji maja e thatë
- ½ lugë çaji kripë
- 3 lugë gjelle vaj ulliri
- 50 g rrush të thatë
- 50 g kajsi të thata
- 375 g miell +30-50 g miell për pudrosje të brumit gjatë gatimit
Përgatitja
- Do të hedhim bananet e qëruara nga lëkura në një tas dhe me ndihmën e një piruni do i bëjmë pure.
- Shtojmë këtu majanë dhe kripën dhe i përziejmë mirë.
- Shtojmë edhe vezën dhe vajin e ullirit dhe përziejmë sërish.
- Vijojmë gatimin duke shtuar edhe rrushin e thatë dhe kajsitë të prera ne copa të vogla të përafërta me madhësinë e rrushit.
- Në këtë masë të lëngëshme të përzierë mirë do të fillojmë të shtojmë gradualisht miellin e situr, duke u munduar që të zëmë një brumë të butë, i cili nuk do të punohet.
- Pra do të përziejmë derisa mielli të përthithet i gjithi, por nuk e punojmë më tepër.
- E mbulojmë enën e brumit dhe do e lëmë brumin të vijë për rreth 2 orë, ose derisa të dyfishojë volumin e tij.
- Spërkasim tavolinën e punës me miell mjaftushëm dhe me ndihmën e një spatule do të palosim brumin sipër miellit që të mos na ngjisë dhe të nxjerrim ajrin.
- Në këtë mënyrë edhe i japim formë brumit si të dëshirojmë. Mund të përgatisim panine të vogla, duke e ndarë brumin në pjesë të njëjta, ose një bukë të vetme, duke përdorur një tavë pjekje plumcake.
- E lyejmë tavën me pak vaj dhe e pudrosim me miell dhe vendosim brumin. E lëmë të vijë edhe një herë të dytë, dhe të dyfishojë volum për të paktën 45-60 minuta.
- Pasi kalon koha, e pudrosim bukën me miell duke i dhënë edhe dekorin që duam dhe e pjekim në furrë të parangrohur në 190 gradë për 20-25 minuta.
- E nxjerrim nga furra, e lëmë të ftohet që të kullojë dhe e shërbejmë sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!
Në Përmbyllje
Faleminderit që na mbështesni dhe provoni recetat tona. Jeni të mirëpritur të lini një koment apo pyetje lidhur me recetën apo Blogun tonë. Ne vlerësojmë opinionin tuaj dhe përmirësohemi falë jush.